Samiti dyditor në Kosovë, Fajon: Mos pengoni vizat për interesa partiake

20/02/2017 00:00

Nën organizimin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, për dy ditë me radhë mbahet në Prishtinë, Samiti i Komisioneve për Punët e Jashtme të parlamenteve të shteteve të Europës.

Në samit marrin pjesë përfaqësues të Parlamentit Europian dhe parlamenteve të shteteve të tjera, drejtues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve vendore.

Eurodeputetja Tanja Fajon, në fjalën e saj të mbajtur në samit, theksoi se Kosova ka shënuar një progres të madh gjatë viteve të fundit, ndërsa nënshkrimi i MSA-së ka qenë një arritje e rëndësishme.

“Duhet të implementohet edhe axhenda që do ta bëjë Kosovën më të fuqishme dhe më të sigurtë për të jetuar. Është e rëndësishme të përfundojmë procesin e liberalizimit të vizave. Jemi të përkushtuar që këtë ta bëjmë realitet”, deklaroi Fajon.

Eurodeputetja shtoi se Kosova ka bërë progres domethënës në luftën kundër korrupsionit, një proces që ka ecur mirë, por për të cilin duhet të punohet edhe më tej.

“Dua t’iu ofroj mbështetje për Demarkacionin. I ftoj parlamentarët dhe u lutem që të mos i ndalin proceset apo liberalizimin e vizave për interesa partiake. Duhet bëhet gjithçka është e mundur për ta ratifikuar marrëveshjen në ditët e ardhshme. Tani është radha juaj të veproni”, ka thënë Fajon.

Sigurisht që edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vijojë, është shprehur Fajon.

Në këtë samit ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili e vlerëson këtë ngjarje si një lajm shumë pozitiv për vendin. “Takimet e një formati të tillë janë shprehje e qartë e përkushtimit të përbashkët të vendeve tona për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm institucional, në funksion të axhendës europiane të integrimit”, është shprehur Veseli.

Ai ka përmendur edhe momentet kritike që po kalon Bashkimi Europian, për të cilat zëra të ndryshëm japin analiza të kundërta, por që shumë shpejt do të përgënjeshtrohen si pikëpamje.

“Vullneti për të qëndruar të bashkuar është shumë herë më i fortë se tendencat që kërkojnë të kundërtën. Bashkimi Europian është shumë më shumë sesa burokracia e një grupi mekanizmash institucionalë”, tha Veseli.

Ndërkohë, duke folur për 9-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit tha se shteti i Kosovës e ka bërë më të qëndrueshëm rajonin dhe më të sigurtë perspektivën e tij europiane.

“Republika e Kosovës qëndron fuqishëm mbi parimet e politikës së fqinjësisë së mirë dhe komunikimit pa barriera. Në të gjitha fushat, ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira me vendet fqinje; Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi; dhe prej disa vitesh jemi përfshirë në një dialog të hapur me fqinjin tonë verior, Republikën e Serbisë, në mënyrë që marrëdhëniet tona të normalizohen, si hap i parë në rrugën e pashmangshme të njohjes reciproke”, është shprehur Veseli.

Pas fjalës në samit, Veseli niset për një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri. Ai do të pritet nga udhëheqësit më të lartë të vendit tonë, presidenti Bujar Nishani, kryeparlamentari Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. Në Tiranë, ai do të takohet edhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me nënkryetarin e Kuvendit nga PDIU, Shpëtim Idrizi, si dhe krerët e opozitës Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu.

Top Channel