
Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues të shteteve dhe organizatave të ndryshme, në ditën e tretë të qëndrimit në Mynih, në kuadër të punimeve të Konferencës së Sigurisë.
Mes të tjerëve, Hoxhaj është takuar me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, të cilin e ka informuar për arritjet e Kosovës dhe axhendën europiane të vendit, sikurse edhe për sfidat europiane dhe globale.
Kryediplomati kosovar ka takuar edhe këshillin për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme të Kancelares gjermane, Angela Merkel, zotin Christoph Heusgen, ku janë përmendur sfidat e sigurisë në Ballkan e Europë, axhenda europiane e shtetit kosovar dhe liberalizimi i vizave. Ndër përfaqësuesit gjermanë, Hoxhaj është takuar edhe me deputetin e Bundestagut, Roderich Kiesewetter.
Për t’u theksuar edhe takimi dypalësh me sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmet Aboulgheit, me të cilin kanë folur për mbështetjen ndaj njohjes diplomatike të Kosovës dhe mbështetjen ndaj vendit në rast aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Konferenca e Mynihut është prej forumeve më të rëndësishme të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Gjatë ditës së sotme kam pasur mundësinë që të takohem qoftë me komisionerë të Bashkimit Europian, me të cilët kam biseduar për axhendën e zbatimit të reformave sa i takon MSA-së dhe për liberalizimin e vizave. Kam pasur gjithashtu mundësi që të takohem me sekretarët e Ligës Arabe, të shteteve të Gjirit dhe të BE-së, si dhe me vende që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Kam kërkuar mbështetje qoftë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, qoftë njohje të reja, të cilat do të duhet të vijnë”, ka thënë Hoxhaj.
Top Channel