Ervis Loce ka një pasion të veçantë. Si një biolog, ai dashuron botën e gjallesave në tërësi, por që prej 4 vitesh, studimet e tij janë përqendruar tek lakuriqet e natës.
Gjitarëve qe ai i studion me imtësi u ka dedikuar një ekspozitë, çelur në ambientet e Bunkart 1.
“Vendbanimet e tyre kryesore janë shpellat, duke ditur që ato janë specie migratore, shpeshherë detyrohen të gjejnë ambiente të reja për t’u ambientuar. Fatmirësisht Shqipëria është e pasur me larmi habitatesh të tjera veç shpellave, siç janë bunkerë më së tepërmi, të cilët i gëzojmë nga sistemi i kaluar, si ky ambient që kemi këtu”, shprehet Ervis Loce.
Të shumtë janë ata qe i tremben gjitarëve të vegjël, kryesisht për shkak të pamjes. Por pak e dinë se prej lakuriqëve kemi edhe benefite.
“Pjesa më e madhe e specieve te lakuriqëve të natës përdoren si bio-indikatore, çka do të thotë që specie të caktuara ndodhen në ambiente, në habitate të caktuara. Nëqoftëse ne gjejmë atë lloj specieje në një mjedis urban në një gjendje të shëndoshë të popullatës atëherë themi se ambient i qytetit apo i fshatit ku ne jetojmë është në një cilësi shumë të mirë”, thotë ai.
Si një biolog, Ervisi ka një mesazh për këdo që përbuz natyrën: “Sigurisht në një sasi më të madhe në ambientin ku jetojmë do të thotë më pak insekte, me pak mushkonja. Ne nuk jemi superiorë në natyrë. Ne jemi pjesë e natyrës”.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur përgjatë një viti në ambientet e Bunkart 1.
Top Channel