Kur na ndajnë vetëm dy ditë nga 9-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Ish-lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti, i ftuar në studion e Top Show, ka pohuar se Pavarësia Kosovës i ka ardhur pikërisht nga protestat e 10 shkurtit 2007 të organizuar nga Vetëvendosje.
Alban Dudushi: Vjet ju nuk ia uruat pavarësinë Kosovës, do ia uroni këtë vit?
Albin Kurti: Kosova nuk ka fituar substancë të pavarësisë, vazhdon të mbetet vendi me papunësinë dhe varfërinë më të madhe në Evropë, ndërkohë që nuk e kemi bashkuar Mitrovicën dhe nuk po lejohet bashkimi i ushtrisë në Kosovë që do të mundësonte edhe integritetin territorial.
Metodat e reja që po ndjek Serbia ndaj Kosovës
Alban Dudushi: Ishit ju që në 2014 bojkotuan nisëm për krijimin e ushtrisë?
Albin Kurti: Kushtëzimi i listës serbe është një çmim shumë i lartë për të thënë që kemi një ushtri. Ushtria nuk bëhet me Beogradin. Të tillë e ka edhe Bosnja, mirëpo Bosnja, po i hyre brenda i sheh nja tre shtete të tjera ! Treni “Kosova është Serbi” u ndal në Rashkë, por ka një tren tjetër që vjen dy herë në ditë prej Krajlevës dhe nuk do të ndalet dhe ai është “Kosova do të bëhet Bosnje” . pra Serbia ka kaluar nga ideja e riokupimit të Kosovës, në idenë e bosnjëzimin e Kosovës dhe fatkeqësissht nuk mund të them që është e pasukseshme.
Alban Dudushi: Ku për shembull? Ku ka qenë e suksesshme?
Albin Kurti: Ka qenë e suksesshme në operatorin e tretë të telefonisë mobile, në operatorin e tretë të energjisë në Kosovë. Ka qenë e suksesshme në sistemin e drejtësisë dhe konkretisht në regjionin e Mitrovicës gjykatësi është detyrimisht serb. Shqiptarët sipas rastit mund ti qëllojë gjykatësi ose shqiptar ose serb, por serbët e kanë gjykatësin detyrimisht serb a thua se të qenit serb është kategori profesionale jokombëtare. Po ashtu kanë pasur sukses në faktin që Kosova mbetet në decentralizimin mbi baza etnike e ndarë për së brendshmi, ku serbët u ndanë prej nesh në 10 komuna dhe tash duan të bashkohen kundër nesh në atë që e kemi quajtur asosacioni i komunave me shumicë serb, por më e drejtë është të quhen Zajednica.
Alban Dudushi: Asosacioni, në një këndvështrim tjetër, do t’i bënte serbët të ishin më të hapur ndaj republikës së Kosovës, por ju duke i mbajtur larg, praktikisht po ia lini Beogradit ata?
Albin Kurti: Mund tu japësh serbëve të Kosovës çfarëdolloj asosacioni, por kurrë Beogradi nuk do ta konsiderojë një gjë të tillë që është rezultat i bujarisë shqiptare, por i kokëfortësisë së tyre. Ata gjithmonë do të thonë: e shihni, dhuna jonë me strukturat paralele tonat dha këto rezultate. Asnjëherë nuk do të thonë që shqiptarët janë zemërgjerë. Serbët thonë: Çka është e jona, është e jona, çka është e juaja është e negociueshme dhe vazhdimisht e kanë ndjekur një politikë të tillë. Politikanët shqiptarë kanë qenë nga njëherë naiv, nganjëherë moskokëçarës dhe shpeshherë të korruptuar dhe të shantazhuar dhe na kanë sjellë në një situatë ku 9 vite pas shpalljes së pavarësisë nuk po mund të festojmë siç duhet
Protestat e Vetëvendosje sollën Pavarësinë
Alban Dudushi: Ju nuk po mund të festoni si duhet shpalljen e pavarësisë, por keni 10 vjetorin kundër pakos së Ahtissarit. Në këto 10 vjet keni ndryshuar qëndrim ndaj pakos së Ahtisaarit, apo jeni njësoj refuzues?
Albin Kurti: Pakoja e Ahtisaarit nuk ka ndryshuar, ndaj edhe ne s’kemi përse ndryshojmë qëndrim. Pakoja e Ahtisaarit ka aderuar në Prishtinë në 2 shkurt të vitit 2007, në 10 shkurt 2007 ne mbajmë një demonstratë të fuqishme, shkrepën 232 plumba nga policët rumunë, polakë e ukrainas mbi trupat e protestuesve . Arben Xheladini dhe Mon Balaj, shumë të tjerë janë ende me pasoja. Disa javë më pas e dërgon një shtesë Ahtisaari te sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ku thotë se Kosovës duhet ti jepet pavarësia e mbikëqyrur. Fjala Pavarësi nuk figuron kurrkund në paketën e Ahtisaarit, por kur e panë që ka një kryengritje të vërtetë të popullit shqiptarë është shumë e madhe, dhe Ahtisaari solli mandej edhe një letër shtesë për pavarësinë e mbikëqyrur. Është pikërisht kjo lëvizje e mbarë popullit jo vetëm e Vetëvendosjes me që e bëri të mendojë edhe Ahtisaarin.
Alban Dudushi: Ju po thoni që ajo lëvizje e vitit 2007, ishte praktikisht ajo që solli më pas Pavarësinë? Që bëri të ndryshojnë mendje ndërkombëtarët?
Albin Kurti: ishin dy lëvizje të fuqishme, ajo më 10 shkurt dhe tjetra në 3 mars 2007, që e bënë opinionin publik ndërkombëtar, por posaçërisht diplomatët ndërkombëtarë që ta ri-mendojnë se mbase janë duke e privilegjuar së tepërmi Serbinë e bërë një padrejtësi të radhës Kosovës.
Alban Dudushi: Nëse ju thoni që pritën të shikonin protestat dhe pastaj të bindeshin për pavarësinë, kjo duket si improvizim? Ndërkohë që nga viti 1999 të gjithë, përfshi ne dhe serbët, në koshiencën e tyre mendonin Kosovën një etnitet të pavarur nga Serbia….
Albin Kurti: E mendonin, por nuk e thonin! Edhe ndërkombëtarët thoshin standardet para statusit. Fjalën pavarësi për herë të parë thuhet disa javë pas këtyre protestave.
Alban Dudushi: Pakoja e Ahtisaarit ishte paraprijëse e pavarësisë së Kosovës, këtë meritë ia njihni?
Albin Kurti: Pakoja e Ahtisaarit u mendua nga politikanët e atëhershëm është një konçension i Serbisë për pavarësinë që ajo na e njeh neve, dhje këtu u bë gabimi. Se ne e shpallëm pavarësinë më 17 shkurt 2008, Serbia i mori elementët përbërëse të pakos së Ahtisaarit, por e refuzoi pakon e Ahtisaarit si ambalazh dhe vazhdoi te mos na e njihte pavarësinë. Nuk kishte pse pakoja e Ahtisaarit t’i mbivendosej pavarësisë sonë, përderisa Serbia nuk e njihte pavarësinë. Në këtë mënyrë ne e kemi pranuar një lloj Serbie brenda Kosovës, në kushtet kur Serbia nuk e pranonte Kosovën jashtë Serbisë.
Ndërkombëtarët në Kosovë
Alban Dudushi: Një nga pikat që ju renditni si padrejtësisë e Pakos së Ahtisaarit është edhe ”betonimi i sundimit ndërkombëtar” ?
Albin Kurti: Për shkak se pas shpalljes së Pavarësisë, u zëvendësuan Kombet e Bashkuara me Bashkimin Evropian, UMNIK me EULEX dhe që të gjitha ata kanë imunitet prej ndjekjes penale në Kosovë, bashkë me familjet e tyre. Nuk i japin llogari as institucioneve dhe as popullit të Kosovës, nuk e njohin pavarësinë se bashkimi Evropian operon me konsensus. Protektorat i tillë ndërkombëtar është mbrojtës i elitës nga populli dhe jo anasjelltas dhe një betonim i tillë i faktorit ndërkombëtar, si sundimtar që e kanë fjalën e fundit për çdoherë për gjithçka, e bëri Kosovën një vend jodemokratik, ku korrupsioni i politikanëve të lirohet për shkak të dëgjueshmërisë së tyre ndaj ndërkombëtarëve.
Alban Dudushi: Por në fakt kjo lloj mbikëqyrje, ishte edhe një lloj garancie për pavarësinë e Kosovës?
Albin Kurti: Ne jemi shumë mirënjohës dhe falënderues ndaj SHBA dhe BE, por çmimin më të lartë e kanë paguar vetë shqiptarët. KFOR është ai së cilit i frikësohet Serbia, ndërkaq burokratët ndërkombëtarë, prokurorët, gjykatësit, policët, të cilët asnjëherë nuk i marrin peshkaqenët e mëdhenj të korrupsionit, por vetëm sardelet e vogla, ata nuk është se ua kemi parë hairin. Ata shpenzojnë rreth 1 milionë euro në ditë, për rezultate që mungojnë.
Më mirë të na sjellin profesorë nga Sorbona, që të na mbështesin universitetin e Prishtinës se sa të na sjellin gjeneralë të pensionuar sic është rasti i Yves De Kermabon, i cili vinte në krye të Eulex , e më herët kishte ndihmuar në rrëzimin e regjimeve demokratike në Afrikë. Pra më mirë të na sjellin ekspertë, se sa njerëz me imunitet nga ligji që në Kosovë bëjnë gjëra që nuk i bëjnë dot në shtetet e tyre.
Alban Dudushi: Imagjinoni një plan sikur ndërkombëtarët të heqin dorë nga Kosova?
Albin Kurti: Ne nuk kemi nevojë për tutelë, por për ndihmë. Jemi mirënjohës, por nëse besojmë në Republike dhe në demokraci, duhet të kishim ndihmë dhe jo tutelë. Faktorët ndërkombëtarë, aty ku na kanë ndihmuar nuk është se nuk jemi të brishtë. Përkundrazi. Sistemin e drejtësisë na kanë ndihmuar më së shumti, por aty jemi më të brishtë. Në Kosovë nuk sistem drejtësie.
Alban Dudushi: A e ndjeni ju veten fajtorë që qytetarët e Kosovës nuk kanë përfituar ende nga liberalizimi i vizave?
Albin Kurti: Le të na thotë BE që keni përmbushur kushtin e korrupsionit, dhe ka mbetur vetëm kjo. Pastaj nuk është e drejtë që Malit të Zi ë mos vihet kusht për demarkacionin, ndërsa ne po. Pastaj unë nuk kam problem me demarkacionin, por ky është kufi i ri. Ne humbin 8 mijë hektarë. Ne nuk kemi tokë të falur, në atë pjesë të dhënë ne kemi betejat e UÇK-së, ne kemi ushtarë të rënë aty.
Alban Dudushi: Ju po flisni për një vend që është në bllokun e aleatëve?
Albin Kurti: Qëndrim për këtë demarkacion të diskutueshëm, insistim më shumë bënë qeveria e Kosovës se vetë Mali i Zi. Është absurde. Ne problemin e vërtetë me këtë çështje e kemi me qeverinë e Kosovës, jo Malin e Zi.
Marrëdhëniet me SHBA
Alban Dudushi: sa i përket ndërkombëtarëve, ata kanë qenë kritik ndaj jush, por edhe ju ndaj atyre? Ambasadorët e SHBA në përgjithësi kanë qenë më skeptikët, ndaj jush, dhe ndaj Vetëvendosje?
Albin Kurti: Në vitet 2008-2009 nuk më dhanë vizë për në Amerikë, në vitin 2013 ma dhanë dhe isha edhe në 2013 edhe në 2014 në Amerikë. Ngadalë por sigurt ka filluar ndryshimi i qasjes ndaj lëvizjes Vetëvendosje! Unë nuk imagjinoj një Kosovë pa ndërkombëtarët, por çështja është: çfarë raporti me ndërkombëtarët? Unë besoj në partneritet.
Alban Dudushi: Por keni qenë në armiqësi?
Albin Kurti: Jo ne jemi kritik ndaj disa misioneve ndërkombëtare në Kosovë, ata kanë qenë kritikë ndaj disa aksioneve tona. Por unë mendoj se kritika është motori i këtij procesi. Ne nuk armiqësohemi me SHBA dhe BE, por ne të bardhës i themi të bardhë dhe të zezës i themi të zezë. Mund të shqiptarë në institucionet e Kosovës që të bardhës i thonë të zezë se kështu thotë ambasadori i SHBA, por ne nuk jemi të tillë…
Alban Dudushi: Ama ambasadorët nuk flasin në fjalën e tyre edhe në politikë, ata flasin në emër të Shtëpisë së Bardhë?
Albin Kurti: Po edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të themi që historikisht nuk ekziston vetëm një Amerikë. Është Amerika e Rusvelt, është Amerika e Kenedit, është Amerika e Martin Luter King, është edhe Amerika e Al Capone. Shumë politikanë shqiptarë që i kemi në Kosovë iu pëlqen kjo Amerika e dytë.
Alban Dudushi: Ama ambasadorët nuk janë të Al Capone?
Albin Kurti: Ambasadorët nuk janë të Al capone, por bisedojnë me qeverinë, edhe ne pot ë ishim në qeveri do të bisedonin me ne!
Alban Dudushi: problem është se duke u sjellë në këtë mënyrë nuk ju shikojnë ndonjëherë në qeveri?
Albin Kurti: Më herët kemi thënë ngadalë por sigurt, tani themi shumë më shpejt por sigurt. Po ndryshon gjendja në Kosovë.
Zgjedhjet, Vetëvendosja parti e parë
Alban Dudushi: Po bëheni gati për të ardhur në pushtet?
Albin Kurti: PO! Koalicioni qeverisës, i dy partive historikisht të mëdha, por ji aktualisht, PDK dhe LDK, është bërë si një qiri që po digjet nga të dy skajet. Dhe fitimtarja kryesore po del “Vetëvendosje”. Sipas sondazheve të ndërkombëtarëve dhe agjencitë, për herë të parë në këtë vit ne dalim si subjekti i parë në Kosovë. Në vitin e kaluar kemi qenë rregullisht subjekti i dytë, me pak përqind pas PDK-së dhe gjithnjë para LDK-së dhe tashmë jemi subjekti i parë. Kjo nuk ka t bëjë vetëm me aspektin elektoral, por edhe me protestat tona.
Alban Dudushi: Me kë do të qeverisni?
Albin Kurti: është vendimtare që ne të dalim subjekt i parë, dhe pasi të dalim subjekt i parë neve automatikisht na takon kryetari i kuvendit dhe nominimi për kryeministër. Është vështirë që ti marrësh mbi 51% në Kosovë, për të mos thënë e pamundur. Varësisht nga platformë jonë qeverisëse ne do të fillonim bisedimet me të tjerët.
Alban Dudushi: Ju në zgjedhje hyni vetëm, nuk hyni me aleancë?
Albin Kurti: Ka mundësi të krijojmë edhe ndonjë koalicion parazgjedhor, por është tepër herët të flas…
Alban Dudushi: Në opozitë keni disa parti që i keni afër, nuk i shikoni si aleatë?
Albin Kurti: Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në fakt jemi përjashtuar ne, por kemi pasur një bashkëpunim të mirë në të kaluarën, por të shohim se çfarë do të bëjmë edhe në të ardhmen, pasi ka mundësi që aksioni ynë në kuvendin e Kosovës do të riaktivizohet për shkak se duan të ringjallin Zajednicën. Është edhe Nisma aty, ka edhe një parti tjetër: Aleanca për Kosovën e Re, por duhet ta mendojmë këtë gjë dhe të krijojmë një front të përbashkët kundër kapjes së shtetit. Për ne e rëndësishme është që nga zgjedhjet e reja Vetëvendosje të dalë si subjekt i parë, por unë uroj me një koalicion paraprak parazgjedhor…
Alban Dudushi: A jeni gati për të qeverisur?
Albin Kurti: Padyshim! E kemi dëshmuar edhe në komunën e Prishtinës, por edhe me punën tonë në Parlament, por edhe me faktin që Lëvizja Vetëvendosje ka alternativë qeverisëse. Të tjerët kanë premtime elektorale. Ne kemi plan të detajuar se si do të dukej Kosova e re.
Alban Dudushi: Është viti i katërt që ju keni komunën e Prishtinës. E para këtu nuk ka lëvizur ndonjë gjë e madhe, ka mungesë investimesh apo gjallërie në qytet. Nuk funksionon shërbimi urban dhe ndërsa Zoti Ahmeti ankohet se qeveria nuk e ndihmon me fonde, në fakt Prishtina ka sufiçit parash nga buxheti i saj që mbetet të papërdorura. A është kjo mungesë aftësie në menaxhim?
Albin Kurti: Autobusët e rinj do fillojnë këtë muaj, ndërtimet pa leje janë ndalur, është kthyer rregullsia në institucione dhe në qytet, në shkollat fillore ka kontroll falas shëndetësor dhe nga një vakt falas. Nuk ka sufiçit nga viti në vit, por kanë mbetur më herët dhe po shpenzohen. Është çështje javësh që të rregullohet dhe uji i pijshëm, 24 orë në Prishtinë dhe askush nuk m,und të thotë asgjë për korrupsion. Gjithmonë kanë dyshuar dhe na kanë thënë se hajt se kur të shkoni edhe ju në qeverisje ashtu do bëni, por pas tre vjetësh e gjysmë nuk ka korrupsion.
Bashkim Kombëtar
Alban Dudushi: Jeni për bashkimin kombëtar ende? Flas si një parti që synoni qeverisjen?
Albin Kurti: Ne besojmë se Kosova duhet ta ketë të drejtën që të bashkohet me Shqipërinë.
Alban Dudushi: Si mund të ndodhë ky bashkim?
Albin Kurti: Këtu në rajon duhet të bashkohemi duke me njëri-tjetrin duke krijuar mekanizma të përbashkët, dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për mbledhje të përbashkëta qeverie që vulosim marrëveshje të ndryshme bilaterale si palë të ndryshme, por mekanizma të përbashkëta. Ta zëmë ”përse të mos e bëjmë një akademi të përbashkët të arteve dhe Shkencave? Përse të mos e bëjmë një regjistër të përbashkët të biznesit? Përse të mos bëjmë një bashkësi të përbashkët islame? Ne mund të bëjmë një mori mekanizmash të tillë, me ç’rast institucionalizohet përfytyrimi ynë i përbashkët si një komb. Dhe unë jam i bindur që po t bëhej një referendum në Kosovë dhe Shqipëri rezultati do të ishte për bashkim.
Alban Dudushi: Në Kosovë u ringjall sërish ideja e shkëmbimit të territoreve, ju jeni për shkëmbim territoresh?
Albin Kurti: Unë nuk jam për shkëmbim territoresh të Veriut të Kosovës me Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin edhe për shkak se shqiptarët janë autoktonë në të dy këto vende, por edhe sepse Serbia dëshiron që ne të kërkojmë pikërisht këtë shkëmbim. Pasi në momentin që ti artikulon një gjë të tillë, i bie që hoqe dore nga Veriu, ndërkohë që Luginën Serbia nuk ta jep. Është pak si teoria e Lojës: gabon ai që e kërkon i pari.
Marrëdhnëia me Serbinë
Alban Dudushi: A do ju zbusë pushteti në lidhje me marrëveshjen me Serbinë?
Albin Kurti: Aktualisht dialogu me Serbinë zhvillohet sipas kushteve të Serbisë. Kjo do të thotë që ti ke kapitulluar pa filluar betejën. Kosova në Bruksel është më shumë temë se palë dhe kur je kaq shumë temë , nuk mund të jesh palë. Por çfarë ëhstë inters i Serbisë ka edhe marrëveshje dhe një asimetri i tillë qysh në start natyrisht që nuk do të sjellë rezultate të dobishme.
Alban Dudushi: Ju besoni që do të ndërroni dhe qasjen se si do i shkoni dialogut me Serbinë?
Albin Kurti: Kosova dhe Serbia nuk janë shtet normale , të dyja janë anormal. Kosova nuk është normale se nuk ka ushtri, ka Mitrovicë të ndarë e integritet në OKB, ndërkohë Serbia nuk është shtet normal pasi nuk është ballafaquar me krimet e saja, ajo është pjellë e gjenocidit. Normalizimi i dy shteteve anormale, e shton a-normalitetin. Shqiptarët janë e vërteta e Serbisë, ata nuk duhet të heshtin. Paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkan varet nga ndryshimi që duhet të përjetojë, por nuk po e përjeton, Serbia!
Alban Dudushi: Si e shikoni nismën e presidentit për komisionin e së vërtetës dhe të pajtimit?
Albin Kurti: Pa e pranuar Serbia Kosovën, pa kërkuar Serbia falje ne nuk mund të bëjmë komisione të së vërtetës e të pajtimit. Sepse Mustafa e Thaçi në njërën anë dhe Vuçiç e Muçiç në anën tjetër, paradoksalisht pajtohen për vlerat e nuk pajtohen për faktet. Serbia thotë s’kemi bërë krime në Kosovë, e kështu nuk mund të ketë pajtim. Dhe më kryesorja pajtimin e kërkon xhelati, jo viktima.
Marrëdhëniet me partitë shqiptare në Maqedoni, PS-në dhe…
Alban Dudushi: Cilët janë partitë shqiptare në rajon me të cilët jeni afër politikisht?
Albin Kurti: Në Maqedoni shqiptarët janë të shtypur dhe natyrisht atje shqiptarët janë për bashkim më shumë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Nuk është se kemi ndonjë marrëdhënie speciale me një forcë, por u bë shumë mirë që Gruevski nuk arriti që të formojë qeverinë. Ai e ka bërë puçin brenda VMRO-së duke e ndërruar orientimin nga pro bullgar në pro-serb në vitin 2006.
Alban Dudushi: A jeni ju mbështetës dhe këshillues i lëvizjes “Besa”?
Albin Kurti: Ne kemi pasur kontakte me ta, po ashtu edhe me Lëvizjen e PDSH të Zijadin Çelës, kemi takuar edhe Ali Ahmetin e Menduh Thaçin… Nuk mund të thuhet që Vetëvendosje ka një partner të veçantë në Maqedoni.
Alban Dudushi: A i shikoni më afër jush “Besë-n”, në mënyrën se si ata po sillen politikisht?
Albin Kurti: Unë besoj se është shumë e rëndësishme që atje të ndodhë demokratizimi, por mbi të gjitha faktorizimi i shqiptarëve. Ta shohim se si do të shkojë kjo lëvizje. Në Shqipëri kemi aleatin kryesor Kushtetutën e Shqipërisë.
Alban Dudushi: Po flasim për partitë?
Albin Kurti: Ne kemi komunikim me të gjitha partitë, por për shkak të dimensionit tonë social-demokrat kemi pasur bashkëpunim më të afërt me Partinë Socialistë të Shqipërisë.
Alban Dududshi: Me gjithë këtë lloj afërsie e juaja me Ramën, paradoksalisht, iu shpërblye me vezë, pasi ishin mbështetës tuaj ata që e qëlluan me vezë?
Albin Kurti: Marrëdhënia që ne kemi me PS-në nuk do të thotë që edhe ne nuk kritikohemi. Unë besoj që aksioni civil është dëshmi e një vitaliteti të popullit. Për bindjen time me kalimin e viteve, është rritur pluralizmi, mbase demokracia jo aq shumë sa pluralizmi, por ajo që është e rëndësishme është të zvogëlohet pabarazia. Unë besoj që në nuk do të duhej të privatizohej në mënyrë të verbër e të egër, sepse privatizimi është pikërisht ai që në shoqëritë në tranzicion e ka bërë kalimin e kapitalit në pronë dhe jo anasjelltas dhe në këtë mënyrë nuk e ka ndihmuar shoqërinë. S’kemi pse importojmë çdo gjë nga vendet e largëta.
Rajoni pas fitores së Trump
Alban Dudushi: Të flasim pak për rajonin…Ka vëzhgime se rajonit po i vërtitet një rrezik i ri. Keni një koment?
Albin Kurti: Në rajonin e pa integruar me këto gjashtë shtete, kemi një rajon ku asnjëri shtet nuk e di ku fillon e ku përfundon. Pra janë kufijtë nuk janë përcaktuar. Përveç kësaj këto 6 shtete kanë katër superfuqi përsipër: SHBA, Gjermania, Rusia dhe Turqia. Gjashtë shtete dhe 4 superfuqi u nënshtrohen disa dinamikave dhe bëjnë që ky rajon i yni të jetë edhe në udhëkryq kohor, edhe në udhëkryq hapësinor. Fitorja e Trump ka ndryshuar shumëçka, mbetet për t’u parë nëse do ndryshojë gjithçka. Marrëveshjet e këqija janë ata që shkaktojnë luftë, jo marrëdhëniet e tensionura apo mosmarrëveshjet. Ka nevojë për një aleancë ballkanike: me Kroacinë, Bosnjën, posaçërisht me Sarajevën, natyrisht përjashtuar Serbinë, por edhe me Bullgarinë. Me Maqedoninë kemi marrëdhënie, por nuk mund të themi se kemi aleancë. Duhet të rrisim kapacitetet tona ushtarake duhet ti rrisim. Për këtë vit Serbia ka dhënë 300 milionë euro të ndara për armatim të ri, dhe 500 mln euro e ka buxhetin vjetor për ushtrinë. Shqipëria e ka 1/5 e kësaj, Kosova e ka 1/10 e kësaj shume. Ekonominë tonë nuk duhet ta zhvillojmë vetëm në raport me popullsinë por edhe në raport me fqinjët tonë. Aq më tepër kur disa prej tyre janë armiqësorë.
Alban Dudushi: Po më thua që duhet të bëhemi gati edhe për luftë, ndryshe për çfarë do të duhej ushtria?
Albin Kurti: Ushtria do duhej për paqe. Kur nuk ke ushtri e ke luftën afër. Dobësia jonë bëhet magnet për ambiciet e kundërshtarit.
Ushtria e Shqipërisë, qesharake
Albin Kurti: Është për të ardhur mirë që Shqipëria hyri në NATO si territor, por është për të ardhur keq që nuk hyri si ushtri. Unë kam qenë në paradën e ushtrisë shqiptare në Nëntor 2012, të them të drejtën prisja një paradë ushtarake me raketa, me artileri, me armatim të rëndë e çfarë pashë ishin 12 lloje të uniformave, me automatik sikur rojet e bankave, thua se ishte një sfilatë mode “Milano fashion Week” me uniforma të ndryshme. Shumë të bukura ishin uniformat, por unë besoj se shqiptarët duhet të kenë një ushtri, që të mos jetë më e forta në Ballkan, por të jetë e tillë që fqinjët grabitqarë dhe djallëzorë të mendohen dy herë përpara se të mësyjnë.
Alban Dudushi: Folët për aleancë ballkanike por harruat Turqinë?
Albin Kurti: Turqia është një nga katër superfuqitë mbi rajonin e Ballkanit dhe më të duhet të bashkëpunojmë në aspektin ushtarak dhe ekonomik. Ka vend për të bashkëpunuar edhe sa i përket arkivave të Stambollit edhe sa i përket dokumentacionit që të bëhet dekolonizimi i Kosovës,. Ne kemi shpall Pavarësinë pa vetëvendosje dhe nuk kemi dekolonizim. Me dokumentet e Serbisë, një pjesë e madhe e tokës në Kosovë del tokë e Kishës Ortodokse Serbe., por në arkivat e Stambollit është e vërteta që edhe para më shumë se një shekull shumica dërrmuese në Kosovë ishin shqiptarë. Regjistrimi i perandorisë osmane i vitit 1912, është i jashtëzakonshëm për shqiptarët.
Serbinë dhe marrëdhënien Rama-Vuçiç
Alban Dudushi: Po i ndjek besoj zhvillimet në Serbi, po përgatiten për zgjedhje?
Albin Kurti: Serbia është e ndarë, ka një skizofreni të brendshme që ka rrënjë historike. Serbia ka pësuar një lloj hegjemonizmi të brendshëm, që tash reflektohet në hegjemonizim të jashtëm. Vuçici shtiret kinse është me Perëndimin, ndërsa Nikoliç bashkë me Sheshel qartazi janë me Rusinë. Nuk kanë vendosur se kush do të garojë në zgjedhjet presidenciale dhe nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje parlamentare . Dikur Titoja gënjente duke mashtruar edhe Perëndimin edhe Lindjen, sot Serbia i ka ndarë rolet. Vuçiç pro Gjermanisë, Nikoliç pro Rusisë, por mendoj që ndarja e roleve është një farsë e serbisë që mund të kthehet në tragjedi për fqinjët e saj por edhe atë vetë.
Alban Dudushi: Duket se nuk iu ka pëlqyer edhe ai intensitet marrëdhëniesh mes Ramës e Vuçiç?
Albin Kurti: Vuçiç i ka marrëdhëniet e përkeqësuara edhe me Sarajevën edhe me Zagrebin. Nuk i ka marrëdhëniet e mira as me Sofjen e as me Podgoricën, prandaj Tirana zyrtare duhet të tregohet e kujdesshme sepse keqpërdoret nga Vuçici për t’u dukur mirë në Evropë. Ai thotë kur shqiptarët, viktimat e mia, janë kaq të sjellshëm me mua ç’keni ju evropianët? Deklaratat e Ramës në Beograd në takimin e parë ishin shumë të mira, por më vonë ose pati përsëritje të tyre në një version më të vakët, ose nuk pati një avancim të mëtejshëm. Unë besoj se Tirana zyrtare duhet të avancojë me Sarajevën dhe Zagrebin, Sofjen e Podgoricën, sigurisht edhe me Kosovën sepse Vuçiç nuk mund të jetë kurrë një partner dhe aleat. Ai do të vazhdojë të mbetet një armik i popullit shqiptar jo vetëm për shkak të kaluarës së tij, por edhe për shkak se ai nuk mund ta imagjinojë barazinë me kombin shqiptar. Populli serb nuk është secili pjesëtar prej tyre është kundër shqiptarëve, por trekëndëshi Kisha Ortodokse Serbe – Akademia e Shkencave dhe Arteve- Aparati Ushtarak i tyre një trekëndësh i Bermudeve për çfarëdo korrektësie e parimësie të shqiptarëve.
Alban Dudushi: Kur do të ketë arsye për të festuar Kosova?
Albin Kurti: Kosova ka nevojë për një Republikë të re dhe ka shansin e parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që uroj të jenë sa më parë, por gjithnjë në koordinim me Shqipërinë.
Alban Dudushi: Uroni më shumë pranverën për zgjedhjet e ardhshme, apo vjeshtën?
Albin Kurti: Pranvera është më e bukur se Vjeshta, por megjithatë vjeshta është më e mirë se ndonjë pranverë e Vitit të ardhshëm.
Top Channel