Pas një karriere mbi 16-vjeçare si futbollist profesionist, ish-kapiteni i Skënderbeut dhe lojtar i shumë skuadrave në Shqipëri, por edhe jashtë, Bledi Shkëmbi është prezantuar si zv.trajner i përfaqësueses U17.
Ambiciet e ish-organizatorit korçar nuk e kanë lënë asnjë vit pushim, pas mbylljes së karrierës si futbollist, duke i dhënë mundësinë të realizojë ëndrrën e tij.
“Është një ëndërr, diçka shumë e rëndësishme për mua. Jam i kënaqur sepse edhe vet e kam filluar futbollin në këto mosha duke veshur fanellën e kombëtares. Patjetër që duhet të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit që më dha mundësinë, por edhe trajnerin Mustedanagiç, që më pranoi në stafin e tij”, tha Bledi Shkëmbi, zv.trajner i Kombëtares U17.
Në rolin e trajnerit, ky është një debutim për Shkëmbin, i cili mendon se shumë shpejt mund të kthehet një kërcënim për trajnerët e tjerë.
“Kështu e kam nisur edhe si futbollist, nga moshat e deri te të rriturit, nëpër ndeshje kam hyrë gjithmonë si ushtar dhe pas tyre kam dalë gjeneral. Në fillim duhet të bëjmë maksimumin, e ta tregojmë këtë me rezultate, pastaj mendoj se ndoshta nuk do të jetë më e nevojshme që të vijnë shumë trajnerë të huaj në Shqipëri”, thotë Shkëmbi.
Pak javë më parë, Shkëmbi ka menduar të ndjekë një javë stërvitjen e Simone Inzaghit, trajnerit të Lacios, por ky është vetëm fillimi i turit të tij për të fituar eksperiencë perëndimore si një trajner i ri.
“Shkova për një javë te Lacio për të ndjekur stërvitjet e atij ekipi. Do të vazhdoj ta bëj këtë gjë për të fituar eksperiencë edhe në ekipe të tjera. Në Itali kam mundësi ndoshta të shkoj edhe te Fiorentina”, deklaron zv.trajneri i ri i U17-s.
Top Channel