“Liria e shtypit, lufton ryshfetin…”

11/02/2017 00:00

Dosja e Musine Kokalarit, është e përbërë nga 1200 faqe material arkivor. Nga ato, 119 faqe, klasifikoheshin deri me sot si sekrete.

Zbardhja e dosjes së saj, do të përfundojë pas shqyrtimit të dorëshkrimeve origjinale, korrespondencave, akteve apo vendimeve në emër të popullit, apo survejimeve të bëra ndaj saj.

Dosja përmban pjesët e cilësuara si kundër rrymës së sistemit të atëhershëm, qëndrime politike që do të ushqenin shqiptarët me parimet e demokracisë. Ja çfarë shkruante ajo për lirinë dhe demokracinë.

“Popujt fituan indipendencën kur vunë përpara çdo gjëje një ideal më të lartë se zaptuesi i vet, idealin e lirisë. Dhe kështjella e feudalizmit u lëkund dhe u shkreh që ditën që njerëzimi vuri si bazë jete punën dhe qëllim ideali drejtësinë dhe barazinë për të gjithë. Kohët provojnë se atje ku do të ketë punëtorë të shëndoshë të mendjes dhe të krahut, respekt për ligjin, vlerë për jetën e njeriut, vetëm atje do të ketë një shoqëri demokratike….

Musine Kokalari e konsideronte lirine e shtypit si të shenjtë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe barazisë përpara ligjit.

“Liria e shtypit është arma e shëndoshë për zbatimin e drejtësisë që mbron barazinë e të gjithëve përballë ligjit, mos grabitjen e tokës së të varfërit që shtrëngohet të marrë borxh për të larë atë që ka për një kafshatë bukë. Liria e shtypit lufton ryshfetin…”

Musine Kokalari u shuajt në vitin 1983 në burgun e Rrëshenit.  Dosja e saj është e para në procesin e hapjes së dosjeve të komunizmit që do të bëhet nga Autoriteti për Informimin mbi dokumentet dhe Sigurimin e Shtetit. 

Top Channel