Gjirokastra nderon Musine Kokalarin

10/02/2017 00:00

Musine Kokalari është përkujtuar në 100-vjetorin e lindjes së saj në qytetin e Gjirokastrës nga intelektualë, qytetarë dhe të afërm. Qendra kulturore e qytetit mori zyrtarisht emrin e saj në këtë 100-vjetor.

Më parë, Musine Kokalarit i është akorduar titulli “Nderi i Qytetit”, i pari që jepet për një grua.

Ne ceremoninë që përkujtoi veprën kontributin, historik, letrar, kulturor dhe politik të saj kryetarja e bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami tha se mbetet detyrim i mëtejshëm njohja e mirë e kësaj figure dhe edukimi përmes njohjes.

Ndërsa Tajar Kokalari, i afërm i Musinesë tha se ndihet mirënjohës për të gjithë respektin që po merr figura e Musinesë. Sipas tij vepra dhe kontributi i saj i përkasin të gjithë kombit dhe janë dedikim për njerëzit e lirë, homazh për demokracinë dhe frymëzim për ta mbrojtur atë me çdo kusht.

Edhe sot, pas shumë dekadash, tha Kokalari, ne ndjejmë kekqardhje për atë që Musineja nuk mbaroi dot, për veprën që ju pre në mes. Kur ajo krijoi sipas tij, ende nuk kishte arritur pjekurinë e duhur, ndërsa gjithaçka ju ndërpre prej regjimit komunist dhe luftës absurde të kalasave që përndoqi shtresën intelektuale të vendit.

Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare, themeluese e partisë Social-Demokrate, lindi në Gjirokastër më 10 shkurt 1917 dhe vdiq në Rrëshen pas më shumë se 37 vitesh burgimesh e internimesh.

Në 100-vjetorin e lindjes veprimtari përkujtimore dhe referime shkencore do të mbahen edhe përgjatë fundjavës.

Top Channel