Dosjet hapen me Musine Kokalarin

10/02/2017 00:00

Në 100-vjetorin e lindjes se shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari, Kryeminstri Edi Rama deklaroi nga Biblioteka Kombëtare se hapja e dosjeve do të nisë pikërisht me figurën e kësaj intelektualeje të përndjekur nga diktatura.

“Puna e Autoritetit Kombëtar të hapjes se dosjeve do të fillojë pikërisht me dosjen e Musine Kokalarit. Simbolike, por jo vetëm, publikimi, hapja dhe dekodifikimi i plotë i dosjes së Musine Kokalarit shënon pragun, por fatkeqësisht kemi bërë shumë më pak për gjithë të tjerët. Por nga ana tjetër, kjo vendos një gur themeli të moralit të gjithë kësaj historie në raport me plagët e diktaturës”, deklaroi në fjalën e mbajtur Kryeministri Edi Rama.

Në Bibliotekën nr.9, e cila që prej kësaj të premteje mban emrin e Musine Kokalarit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, më herët ceku të njëjtën temë.

“Një nga momentet që jam ndjerë më mirë ishte dita e fundit në ministri, ku në Parlament hyri ligji i dosjeve, i cili më dukej një mision i pamundur. Shumë të tjerë thoshin “O djalë, ti shumë mirë që i hyn kësaj pune, e kanë provuar edhe të tjerë para teje, nuk ke për t’ja dalë, se me atë mentalitet që ka Parlamenti ynë…”, u shpreh ai.

Ndërsa ministrja e Kulturës tha se shumë shpejt do të nisë rikonstruksioni i shtëpisë ku lindi ‘gruaja-libër”, siç e quajti ajo Musine Kokalarin.

“Dua të ndaj me ju lajmin se në këto muaj parapërgatitjeje Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve ka përgatitur të plotë projektin e zbatimit për rikonstruksionin e shtëpisë ku lindi Musine Kokalari në Gjirokastër, djegur fatkeqësisht në vitin 2014. Nuk është thjesht restaurim i një ngrehine, por në serinë e projektit të shtëpive të shkrimtarëve duam të ndërtojmë një model, ku hapësira muzeale kushtuar Musinesë të lidhet me hapësirën e mikpritjes”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Në ambientet e Bibliotekës u çel edhe një ekspozitë, e para e këtij lloji në të cilën prezantohen fillimet letrare dhe veprat e plota të Musine Kokalarit.

Top Channel