Thaçi në Bruksel, takime me Tusk dhe Tajani

09/02/2017 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur këtë të enjte një seri takimesh në Bruksel, me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe me presidentin e PE, Antonio Tajani.

Në këto takime Thaçi ka kërkuar nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndonëse kusht i panegociueshëm mbetet miratimi i vijës kufitare me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës.

Thaçi ka kërkuar gjithashtu mbështetje edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Në këtë drejtim, zyrtarët evropianë kanë kërkuar vijimin e konkretizimit të marrëveshjeve me Serbinë, si dhe integrimin e komunitetit serb që jeton në veri në qeverisjen multietnike të Kosovës.

Shqetësim tjetër mbetet kërkesa e Kosovës për anulimin nga Interpol të të gjitha urdhër-arresteve të Serbisë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK.

Top Channel