Francë, sot vendimi për Haradinaj

09/02/2017 00:00

Në Kolmar të Francës merret sot vendimi për ekstradimin ose jo të Ramush Haradinajt në Serbi. Ish-kryeministri i Kosovës nuk ka lëvizur më nga ky qytet që prej 4 janarit, kur u arrestua në bazë të një fletë-arresti të Beogradit.

Avokati mbrojtës i Haradinajt, Arianit Koçi është shprehur i bindur se kryetari i AAK-së do të lihet i lirë nga autoritetet franceze.

“Kërkesa e Serbisë për ekstradim është e pabazuar dhe krejtësisht politike”, citohet të ketë thënë ai, duke kujtuar deklaratat e politikanëve serbë: kryeministrit, ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Jashtëm.

“Të mos harrojme se Aleksandar Vuçiç ka qenë ministër i Informacionit në kohën e Millosheviçit dhe Ivica Daçiç zëdhënës i partisë SPS”, ka kujtuar juristi i ish-kryeministrit.

Sipas palës mbrojtëse, “pushtetarët e Serbisë nuk do t’ia falin kurrë Haradinajt anagazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftën ndaj politikës se genocidit të pushtetit të Millosheviçit”.

Politikanët serbë ndërkohë i kanë përshkallëzuar presionet. Pretendimeve të organeve juridike dhe krerëve të shtetit për ekstradimin e ish-liderit të UÇK-së i janë bashkuar së fundi edhe deputetë serbë, të cilët pretendojnë se të gjithë popujt në rajon kanë vuajtur pasojat e luftërave të kaluara, por populli serb në Kosovë ka qenë në arsyetimin e tyre absurd “një prej viktimave më të mëdha”.

Top Channel