“Serb, maqedonas dhe shqiptar”

07/02/2017 00:00

Ndërsa tryezat mes diplomatëve të vendeve të Ballkanit ende gëlojnë nga diskutimet politike, Petar Popçev, një piktor i lindur në Serbi, i rritur në Maqedoni, ka çelur ekspozitën e tij në Tiranë.

Serb, maqedonas apo shqiptar, për Popçev është njëlloj, pasi sipas tij, arti nuk e njeh dhunën politike.

“Babai dhe nëna ime janë nga pjesa greke e Maqedonisë dhe iu desh të emigronin në Vojvodinë, ku linda edhe unë. Në moshën 3-vjeçare u shpërngulëm në Shkup, ndërsa studimet për art i kreva në Prishtinë. Arti nuk ka dhunë, nuk ka urrejtje artin nuk e lidh asgjë me politikën, pasi ai nuk ka urrejtje. Për më tepër, arti nuk gënjen, ashtu siç bën politika. Arti është i sinqertë”, shprehet piktori Petar Popçev.

Janë 44 piktura, kryesisht të teknikës së drurit, në të cilat folklori dhe elementet e Ballkanit dallohen lehtësisht.

“Këto elemente janë vetëm dekorative, nuk kanë një kuptim, tregojnë artin e Ballkanit. Ka ndërthurje të kulturës rome, bizantines ka elementë të besimit mysliman e ortodoks. Jam i lumtur që jam shumë i pasur pasi duke jetuar në shumë vende të Ballkanit jam pasuruar shumë”, thotë piktori.

Këtë ekspozitë piktori ia dedikon mbesës së tij vetëm 3-vjeçare, e cila jeton në Tiranë. Në pamundësi t’i tregojë asaj përralla çdo mbrëmje, Petar ka ciklin e tij të përrallave në pikturë.

“Kjo ekspozitë i dedikohet mbesës sime. Çdo pikturë ka një titull dhe një histori. Titujt janë fiction, ndërsa historitë e tyre janë të gjitha të vërteta. Të qenit piktor më jep mua lirinë të fantazoj, ndërsa çdo histori është e vërtetë, sepse dua t’i tregoj jetën përmes pikturës mbesës sime”, shprehet Popçev.

Popçev thotë se piktura e tij abstrakte është një pikturë e thellë në të cilën, ai ruan sekrete përtej çdo kuadroje, sekrete që nuk ia tregon as publikut, të cilin e pret në galerinë FAB deri në datën 13 shkurt.

Top Channel