
Beogradi është indinjuar nga deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të bëra gjatë një interviste për “Deutsche Welle”, ku shprehej se Serbia po armatos serbët në veri të Kosovës.
Edhe pse autoritet serbe nuk kanë reaguar ende ndaj pohimeve se “Serbia po përpiqet të provokojë konflikte të armatosura, me qëllim ndarjen territoriale të veriut të Kosovës me ndihmën e Rusisë”, analisti Aleksandar Radiç shprehet për të njëjtën media se “këto deklarata mund të interpretohen si përpjekje e Thaçit për të vendosur një balancë forcash”.
Sipas tij, “qëllimi është që të dëshmohet se në veri askush nuk është i pafajshëm. Kështu justifikohet edhe dërgimi i forcave speciale të policisë ROSU në veri, në kundërpërgjigje të pretendimit të palës kosovare se atje ka serbë të armatosur”.
Presidenti Thaçi ishte shprehur në intervistën e tij se “Serbia po përgatit në Mitrovicë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë, teksa në veri të Kosovës janë futur persona të armatosur civilë dhe me uniformë”.
“Kur të flasim për ndarjen e Kosovës, atëherë duhet të kujtojmë të gjitha zhvillimet e viteve ’90 në hapësirat e ish-Jugosllavisë”, pohon Aleksandar Radiç. “Nëse flasim për gjendjen në Kosovë, mendoj se nuk është e mundur që të vendoset me dhunë ndonjë akt i kryer. Një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse arrihet ndonjë marrëveshje sekrete mes Beogradit dhe Prishtinës. Nuk mendoj se ka ndonjë rrugë tjetër për realizimin e kësaj ideje”.
Ndërsa koordinatori i Forumit për Raportet Etnike në Beograd, Dushan Janjiç ka thënë për “Deutsche Welle”-n se “të pohosh që dikush po armatos dikë duhet të kesh të dhëna nga shërbimet sekrete, ose të paktën të dhëna nga vëzhgues të pavarur, në rastin konkret KFOR dhe NATO”.
“Duket qartë se Thaçi po përpiqet të shfrytëzojë situatën me trenin dhe dërgimin e njësisë speciale në veri, që të zgjojë vëmendjen e NATO-s për të forcuar pozitën e tij. E gjitha kjo dëshmon se në Ballkan po flitet gjithnjë e më shumë me gjuhën e luftës dhe se politikat janë futur në krizë. Politikanët nuk kanë më se çfarë të ofrojnë në planin e brendshëm dhe tani po përpiqen të përhapin frikë përmes kërcënimeve me luftë”, thotë Janjiç.
Sipas tij, pohimet e disa medieve që flasin për “ekzistencën e një plani rus në Ballkan janë veçse lojë fjalësh, ndaj të cilave nuk ka reaguar askush”. “Të tilla pohime nuk kanë sjellë kurrë gjëra pozitive, ndaj duhet ushtruar presion ndërkombëtar për sqarimin e pozicioneve dhe uljen e tensioneve në lidhje me Kosovën”.
Top Channel