Nisin festimet e Vitit të Ri Hënor

29/01/2017 00:00

Në Hong Kong, festimet e Vitit të Ri hënor u çelën me një paradë shumëngjyrëshe. 10 pluskuese të mëdha e 3.000 interpretues shënuan jo vetëm ditën e parë të “Vitit të Gjelit”, por edhe 20-vjetorin e dorëzimit të qytetit në duart e kinezëve nga britanikët.

Mijëra vetë u mblodhën për t’u bërë pjesë e atmosferës së hareshme që ngjalli shfaqja e mirorganizuar. Mes tyre kishte edhe mjaft turistë.

“Kjo është e para herë që e shikoj nga afër një paradë të tillë në Hong Kong. Është e mrekullueshme, jam shumë e entuaziazmuar, është vërtet bukur”, tha Miss Ahsah, vizitore indoneziane.

Ngjyrat e forta dhe kërcimi i dragoit i dhanë tonin kësaj dite edhe në Meksiko City. Pluralizmi ishte tema e kremtimeve në sfondin e një nacionalizmi në rritje në botën perëndimore.

“Viti i Gjelit është goxha i fortë. Gjeli përfaqëson guximin, mosdorëzimin. Përpiquni të kapni një gjel e do ta shihni sa lufton. Them se do të ketë agresion këtë vit, ndaj dhe ne duhet të bëhemi si gjelat, të mos e ulim vigjilencën, e nëse do të jetë e nevojshme, të jemi të gatshëm të kundërpërgjigjemi”, tha një pjesëmarrës.

Një spektakël ngjyrash e formash ishin dhe festimet e Vitit të Ri në Sao Paulo të Brazilit. Pjesëtarë të komunitetit kinez atje ofruan prezantime artesh marciale, përpos valleve tradicionale të dragoit. Në kalendarin kinez, çdo vit përfaqësohet nga 12 kafshë dhe shpendë. Ky është “Viti i Gjelit”. Besohet se ai do të sjellë të mira e begati dhe do të largojë fatin e keq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB