Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Presidenti Bujar Nishani dekoroi 35 familje dhe individë shqiptarë, të cilët kanë strehuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Roli dhe kontributi  patjetërsueshëm i shqiptarëve në strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së errët të Holokaustit të vihet në pah botërisht dhe mbi të gjitha të vlerësohet duke marrë nderimin dhe vendin e merituar në histori”, deklaroi Presidenti Nishani.

Po në nderim të këtyre personave, ministri Bushati dhe ambasadori i Izraelit në Tiranë, përuruan parkun “Të drejtë midis Kombeve”.

“Ne duam që të ngulisim në vëmendjen kolektive edhe veprimtarinë sublime të paraardhësve tanë në mbështetje jo thjesht të hebrenjve, por disa vlerave të cilat janë të shenjta edhe sot”, tha Bushati.

Për ambasadorin e Izraelit në këto kohë, Shqipëria është një shembull që duhet të ndiqet.

“Janë 75 familje dhe individë shqiptarë të cilët ndihmuan hebrenjtë asokoho. Përmes nderimit që u bëjmë atyre që i quajmë të drejtët mes kombeve, ne japim dhe një mësim shumë të rëndësishëm për brezat e ardhshëm. Dëgjojme tani për një Europë me atomosferë ekstremizimi, e cila mund t’i bëjë ballë përmes vlerave morale, duke marrë shembullin e familjeve shqiptare, të cilat strehuan hebrenjtë”, u shpreh ambasadori Boaz Rodkin.

Më pas, aktivitetet u zhvendosën në Qytetin Studenti, ku u mbajt një konferencë tema e së cilës ishte “Promovimi i të Drejtave të Njeriut përmes lenteve të Holokaustit dhe Kujtesës”.

Mbi 6 milionë hebrenj u vranë në kampet e përqëndrimit të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, masakër e cila do të përfundonte më 27 janar 1945, ditën kur forcat ruse do të lironin kampin famëkeq të Aushvicit.

Top Channel