Borxhi që bashkia ka trashëguar ndaj KF Tirana ka arritur 2.11 miliardë lekë, ndërkohë që kreu i bashkisë Erion Veliaj dhe presidenti i Tiranës Refik Halili kanë rënë dakord që borxhi të shlyhet me këste fikse.
Burime nga bashkia e kryeqytetit bëjnë të ditur se kjo shumë është akumuluar vetëm gjatë periudhës që institucioni kryesor i Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha.
Likuidimi me këste do të kryhet deri në pagesën e plotë të pjesës së shumës që i takon bashkisë.
Gjatë takimit të djeshëm me Presidentin Halili, Veliaj u zotua për shlyerjen e shpejtë të këtij borxhi të prapambetur ndaj KF Tiranës, i cili do t’i vinte shumë në ndihmë ekipit, si një mundësi për blerjen e lojtarëve të rinj për sezonin e ardhshëm të Superligës.
Një ditë më parë kreu i bashkisë Erion Veliaj është takuar me presidentin e Tiranës dhe atë të Partizanit ku u ra dakord që ndeshjet e kësaj të fundit të luhen në “Selman Stërmasi”, të paktën deri në fund të sezonit.
Top Channel