Takim i FSHF-së për komunikimin futbollistë-arbitra

25/01/2017 00:00

Futbolli shqiptar rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e Kategorisë Superiore dhe ato të Kategorisë së Parë. Në stadiumin “Selman Stërmasi” u  mbajt një takim mes FSHF, arbitrave dhe kapitenëve të skuadrave ku u diskutua për komunikimin mes gjyqtarëve e futbollistëve në fushë.

“Ideja e të gjithave është te të ruajturit gjakftohtësinë në ndeshje. Nuk diskutohet që edhe ne bëjmë gabime, por ato janë njerëzore dhe për këtë duhet të na mirëkuptoni”, u shpreh arbitri Lorenc Jemini.

“Ne kemi 22 lojtarë për të cilët duhet të kujdesemi në fushën e lojës. Kemi edhe pankinat për të cilat duhet të kemi vëmendje vazhdimisht, ndërsa lojtarët individualisht kujdesen vetëm për sjelljen e tyre. Kam përshtypjen që e kanë ata më të lehtë të bëjnë një hap cilësor”, tha arbitri Enea Jorgji.

Dhanë opinionin e tyre në lidhje me këtë çështje edhe kapitenët e skuadrave të cilët pranuan se duhet mirëkuptonin vendimet e arbitrave por kërkuan që edhe këta të fundit të jepnin shpjegimet e tyre.

“Mendoj që ka përparime, por kuptohet që kemi akoma për të korrigjuar sepse duhet të jemi më të qetë. Edhe arbitri ka vetëm një sekondë për të vendosur”, tha kapiteni i Kukësit, Hallaçi.

“Ka nevojë akoma për të rregulluar shumë gjëra. Gjithçka duhet bërë që arbitri të sqarohet me kapiteni dhe jo ta largojë atë”, u shpreh kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha.

Në fund, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku bëri të ditur një risi për futbollin shqiptar duke theksuar se në dispozicion të klubeve janë vendosur psikologë.

Top Channel