Seanca e parë për dosjen “Revanshi”, në sallë vetëm një prej të akuzuarve, Durim Bami dhe Aldo Avdyli përfaqësohen nga avokatët
Një pallat dykatësh, në lagjen Pronovik të qytezës së Poliçanit, është shpallur i pabanueshëm prej 5 vitesh.
Megjithatë, në “pallatin e vdekjes” jetojnë ende 8 familje, të cilët rrezikojnë jetën. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar e ka shpallur të pabanueshëm dhe ka rekomanduar largimin e banorëve nga kjo godinë. Po në vitin 2012, zyra e Urbanistikës në Bashkinë Poliçan e vlerësoi pallatin si të rrezikshëm për të jetuar. Por, përveç këtyre vlerësimeve, në këtë pallat jetojnë ende 8 familjet.
Emisioni “Fiks Fare” solli problemin e 8 familjeve të lagjes Pronovik në qytetin e Poliçanit. Gazetarët e Fiksit udhëtuan drejt këtij qyteti pas informacionit se banorët e një pallati në këtë qytet ishin në rrezik serioz për jetën. Pallati në të cilin jetojnë është shpallur i pabanueshëm që në viti 2012 nga shërbimi Gjeologjik Shqiptar.
Banorët e pallatit thanë për gazetarët e “Fiksit” se po rrezikojnë jetën duke jetuar ende aty, por kjo pasi ata nuk kanë ku të shkojnë. I janë drejtuar me shkresa zyrtare të gjitha institucioneve përgjegjëse që nga Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Brendshme, Prefekti i Qarkut Berat e deri tek Kryeministri Edi Rama.
Nebi Çela është njëri prej banorëve të pallatit, i cili thotë se është ndjerë shumë i rrezikuar në këtë banesë, kësisoj është detyruar të marrë një banesë me qira. Ai pohon se të ardhurat e familjes së tij nuk i përballojnë dot të gjitha shpenzimet. “I largonim krevatët sa në një cep në një tjetër, se binte suvaja”, tregon gruaja e Nebiut.
Shumica e familjeve në pallat hapën dyert për Fiksin për të treguar shtëpitë e tyre, suvatë e rëna dhe frikën që i shoqëron gjithë kohës. Fundi i rrëfimit të secilit prej tyre ishte: “Ku të vemi?! Ku të mbytemi?!”.
Në katin e dytë jeton e vetme një 80 vjeçare, të cilës nga lëvizja e dyshemesë si rezultat i rrëshqitjes së tokës, asaj nuk i mbyllet asnjë derë në shtëpi. Ajo shpjegon se herë pas here merr usta për të suvatuar dhe për të zënë të plasariturat e mureve. “Unë jetoj e vetme të keqen nëna, as dyert s’më mbyllen edhe po të vdes duhet të heqin derën që të më nxjerrin”, tregon e moshuara.
Banorët prej vitesh u drejtojnë kërkesa të gjitha institucioneve, por akoma nuk kanë marrë asnjë zgjidhje. Në dosjen e tyre të kërkesave kishte edhe kthim përgjigje, ku të gjitha institucionet ia linin përgjegjësin Bashkisë Poliçan. Ndaj gazetarët e Fiksit ju drejtuan bashkisë për të marrë një përgjigje. Kryetari i saj , Adriatik Zotkaj, tha se ne nuk kemi mundësi për të ndërtuar një pallat të ri, e vetmja mundësi është të marrim shtëpi me qira për banorët. Ai thotë se ka kërkuar ndihmën e të gjitha ministrive për t’i ofruar fonde, por ato luajnë kukafshehti me banorët dhe ia hedhin fajin bashkisë. “Unë jam i gatshëm t’ju ofroj banorëve banesa me qera , koha filloi për zgjidhje, ne do t’i nxjerrim menjëherë banorët nga pallati”, thotë kryetari i bashkisë.
Gazetarët e “Fiksit” ju drejtuan prefekturës së Qarkut Berat. Prefekti tha: Unë në këtë moment do merrem personalisht me këtë çështje, pavarësisht se është e gjitha përgjegjësi e Bashkisë Poliçan.
Top Channel