“Skifterët” ikin në Gjermani. Berlini kërkon ndihmë nga Shqipëria

24/01/2017 00:00

Rritja e numrit të shtetasve shqiptarë që përfshihen në ngjarje kriminale, kryesisht grabitje dhe vjedhje, ka vënë në alarm policinë gjermane.

Top-Channel ka mësuar se një delegacion i policisë së këtij shteti ka mbërritur javën e kaluar në Tiranë, ku ka zhvilluar disa takime me homologët e Policisë së Shtetit.

Oficerët gjermanë kanë kërkuar infomacione dhe kryerjen e hetimeve të përbashkëta, pasi dyshohet se grupet kriminale e kanë bazën në Shqipëri dhe funksionojnë përmes lidhjeve farefisnore.

Dyshohet se shqiptarët që formojnë këto banda janë nga qytetet veriore të vendit tonë, por policia gjermane ka hasur vështirësi në identifikimin e tyre.

Shqiptarët e përfshirë në grabitje dyqanesh ose banesash udhëtojnë si turistë dhe nuk shkelin afatet e qëndrimit, duke mos lënë gjurmë pas.

Sipas burimeve, ata shfrytëzojnë stehimin tek të afërm që jetojnë në këtë shtet për të zhvilluar aktivitetin kriminal. Zona më problematike ku shqiptarët janë të dyshuar për disa grabitje është Hanoveri, një qytet i frekuentuar edhe nga shtetasit kosovarë.

Fakti që një delegacion i policisë gjermane vjen në Shqipëri për këtë çështje tregon se problemi është serioz. Policia e Shtetit i ka ofruar homologëve gjermanë asistencën e saj dhe pritet që hetimet e përbashkëta të japin rezultate.

Top Channel