Kosovë, konstituohet komisioni për matjen e territorit

24/01/2017 00:00

Kryeministri Isa Mustafa ka marrë pjesë mëngjesin e së martës në takimin konstituues të Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, aty ku ishin të pranishëm gjithashtu zv.kryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi, ministri i Brendshëm Skënder Hyseni, si dhe vëzhgues ndërkombëtarë nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë dhe KFOR-i.

Mes të tjerëve ishin ftuar edhe kryetarët e Komunave të Pejës dhe Istogut, respektivisht Gazmend Muhaxheri dhe Haki Rugova, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera kompetente, që do të jenë në cilësinë e anëtarëve të këtij komisioni.

Me këtë rast, Mustafa theksoi se qeveria nuk do të japë udhëzime mbi mënyrën e funksionimit të komisionit, duke qenë se ai është profesional, ndaj dhe do të ketë plotësisht kompetencë dhe përgjegjësi për të përcaktuar kriteret, metodologjinë dhe teknikat e matjes së territorit të Kosovës.

“Raportin që do të hartoni në fund, do ta aprovojë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe më pas do të njoftohet Kuvendi dhe qytetarët, lidhur me territorin që kemi aktualisht dhe territorin që kemi pasur para datës 25 gusht të vitit 2015”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Hivzi Islami u zotua për një punë të paanshme dhe profesionale të komisionit.

“Ky Komision nuk do të merret me shkaqet dhe efektet politike të kufijve, me markim ose demarkim të tyre, as me aspekte të tjera. Komisioni ka për detyrë vetëm të bëjë matjen e territorit të Republikës së Kosovës, përkatësisht të secilës zonë kadastrale dhe komune administrative. Komisioni do të qëndrojë larg ndikimeve dhe anësive politike, partiake, të grupeve të interesit, sikurse do të lërë mënjanë emocionet, patetizmin, folklorin, irracionalitetin. Neve këtu na duhet vetëm profesionalizmi. Në këtë çështje, si edhe në shumë çështje të tjera me rëndësi kombëtare dhe shtetërore, është shumë i nevojshëm konsensusi i plotë i të gjitha forcave politike dhe institucioneve profesionale, shkencore dhe shoqërore të Kosovës”, tha Akademik Islami.

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka vendosur gjatë takimit, që të funksionojë në dy grupe pune, atë organizativ dhe atë profesional.

Grupi organizativ do të merret me krijimin e kushteve teknike të punës, në bashkëpunim me Sekretariatin Koordinues të Qeverisë në Kryeministri, pastaj me mbledhjen dhe sistemimin e materialit që do të sjellin përfaqësuesit e organizatave dhe agjencive do të organizojë ballafaqimin e ekspertëve nga institucionet e ndryshme, pas punës së profesionistëve të tyre, si dhe me çështje të tjera organizativo-administrative, deri te hartimi i raportit përfundimtar.

Grupi profesional ka për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe të gjithë dokumentacionin zyrtar vetëm nga institucionet përkatëse, ku përfshihen të gjitha llojet e të dhënave dhe fakteve: kadastrale, hartografike, statistikore, shkencore dhe menaxheriale të institucioneve të KSAK (deri në vitin 1988) dhe të Republikës së Kosovës (pas vitit 2008). Takimi i radhës është vendosur të mbahet më 1 shkurt.

Top Channel