Gjuha e trupit mund të mos jetë vetëm një marrëdhënie komunikimi përmes gjestikulacioneve. Edhe piktura mundet të flasë, veçanërisht kur në qendër të saj është figura femërore.
Në penelin e piktorit korçar Roland Karanxha, nudoja femërore trajtohet me ngjyra të ngrohta sepse femra është një muzë frymëzimi dhe njëherazi simbol i vazhdimësisë së jetës.
“Gjuha e trupit vjen në mënyrën time të interpretimit, që nuk është thjesht një origjinalitet, por është një figurë e plotësuar me të cilën dua të transmetoj bukurinë, dashurinë, jetën. Më pëlqen figura e femrës. Ka brishtësinë, ka bukurinë, ka jetën brenda”, shprehet Karanxha.
Në 71 kuadrot e piktorit, nuk mund të mos linte gjurmë qyteti i lindjes, Korça, së cilës Karanxha i dedikon një cikël punësh. Në vitet 1997-2000, Rolandi punoi si skeongraf në Athinë, e kjo shkëputje e shkurtër i ndryshoi këndvështrimin për Korçën.
“Kur erdha nga emigrimi, m’u duk qyteti si i mykur, sikur kishte zënë myshk, si i lënë pas dore dhe e kam trajtuar kështu në një perëndim, duke ardhur pastaj duke filluar syri të ndryshojë pamje. Sikur duket e thatë Korça po ta trajtoj thjeshtë, pa atë dëborën. Dëbora sikur e bën më të identifikueshme, pa dëborë nuk mundet të kuptohet”.
Kjo është hera e parë që Roland Karanxha pret në një ekspozitë personale publikun e kryeqytetit, deri më 31 janar, në Galerinë e arteve FAB.
Top Channel