Kosova përkujton Rugovvën, Thaçi e Mustafa vlerësojnë veprën e tij

21/01/2017 00:00

Udhëhqësit dhe qytetarët e Kosovës përkujtuan ish-presidentin historik Ibrahim Rugova në 11-vjetorin e ndarjes nga jeta.

Presidenti Hashim Thaçi, pasi bëri homazhe pranë varrit të Rugovës, figurën e tij e vlerësoi me një status në rrjetet sociale. “Me rezistencën e tij paqësore, presidenti Rugova dha kontribut të jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës”, shkroi Thaçi.

Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli çmoi anagzhimi e Rugovës. Po në Facebook edhe kryeministri Mustafa, trashëgimtari politik i Rugovës në krye të Lidhjes Demokrartike të Kosovës, postoi një mesazh.

“Gjatë jetës së tij, Rugova na udhëhoqi drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Vendosi standardet më të larta në politikë, u bë mik i shquar i botës demokratike, ishte krijues kulminant dhe njeri shembullor”, u shpreh Mustafa.

Presidenti Ibrahim Rugova u përkujtua si ati themeltar i Republikë së Kosovës në ceremoninë përkujtimore, ku u prezantua edhe libri i akademikut anëtar të LDK-së, Sabri Hamiti, “Memento për Rugovën”.

“Rugova është ati themeltar i shtetit të Kosovës, ati themeltar i LDK-së, brezat e ardhshëm do ta kenë frymëzim sepse vepra e tij që tani është histori”, vlerësoi Hamiti.

Ibrahim Rugova u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë 21 janarin e vitit 2006, dy vjet para se Kosova të shpallte pavarësinë.

Top Channel