Gjendja e Schumacher, ish-agjenti, sërish akuza familjes

21/01/2017 00:00

Ish-menaxheri i Michael Schumacher, Willi Webber kritikon sërish familjarët e 7 herë kampionit të botës në Formula 1 për faktin se ata nuk bëjnë të ditur gjendjen reale të legjendës së këtij sporti të aksidentuar në fund të 2013.

“Ka shumë kohë që them se familja e Schumacher nuk po thotë të vërtetën për gjendjen e tij”, tha Webber në një intervistë për të përjavshmen “Bunte”. “Është momenti që tifozët e tij të mësojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë me të. Por kjo është e kotë, sepse këshillat e mira prej vitesh nuk merren parasysh”.

Pavarësisht kësaj, Webber  pranoi se ka ende shpresë në një përmirësim të gjendjes së ish-kampionit të botës në Formula 1.

“Kur jam në shtëpi dhe dëgjoj zilen e telefonit, shpesh uroj që të dëgjoj zërin e Schumacher”, vijoi Webber. “Shpresa është e fundit që vdes”.

Michael Schumacher u aksidentua në 29 dhjetor të 2013 në alpet franceze teksa ishte me pushime me familjen e tij. Gjatë skiimit, ai u godit në kokë nga një gur duke pësuar dëmtime të rënda pavarësisht se ishte i pajisur me kaskën mbrojtëse. Schumacher u operua 2 herë për  shkak të hemorragjisë cerebrale dhe qëndroi në koma 6 muaj.

Top Channel