Tiranë, zjarr në ashensorin e një pallati; vdes 30-vjeçarja

20/01/2017 10:25

Një zjarr i rënë në ashensorin e një pallati në zonën e Freskut në Tiranë, i mori jetën një gruaje 30-vjeçare. Ngjarja e rëndë u regjistrua në orën 10:15 minuta të së premtes.

Gruaja kishte hipur në ashensor dhe u bllokua brenda tij nga flakët që e përfshinë atë në pak sekonda. Mendohet që një shkarkesë elektrike shkaktoi zjarr, i cili u ndihmua nga vajrat lubrifikante të ashensorit, që i ndezën flakët menjëherë, pa i dhënë mundësi viktimës të përpiqej të dilte prej andej.

Ashensori kishte një depozitë të madhe vaji, i cili ra menjëherë në kontakt me zjarrin. Tymrat e shumtë të dalë nga ky zjarr bllokuan pothuaj të gjitha shkallët e pallatit 8-katësh, që vuri në panik të gjithë banorët që ndodheshin në apartamente. Zjarrfikëset e para që mbërriten në vendin e ngjarjes ishin të stacionit që ndodhet në Kinostudio dhe pasi mundën të hapnin ashensorin, e gjetën të karbonizuar trupin e 30-vjeçares.

Dy zjarrfikëse të tjera erdhën në ndihmë të kolegëve për të bërë të mundur nxjerrjen e të gjithë banorëve të pallatit nga apartamentet e tyre.

Zjarri u vu shpejt nën kontroll, pa vënë në rrezik jetën e asnjë banori tjetër të pallatit. Ndërkohë që grupi hetimor nisi menjëherë hetimin  në lidhje me shkaqet e rënies së këtij zjarri dhe me gjendjen teknike të ashensorit. Ekspertiza tha se përfundimi i plotë i këtyre hetimeve paraprake do të përcaktojë nëse kishte luhatje të tensionit të lartë apo shkarkesa erdhi si pasojë e gjendjes jo të mirë teknike të ashensorit.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA