Bayern e konfirmon, do blejë kartonin e Coman

20/01/2017 00:00

Kingsley Coman do të bëhet përfundimisht futbollist i Bayern Munchen. Ai që e konfirmon këtë është Karl-Heinz Rummenigge, i cili deklaroi se kampionët e Gjermanisë do të blejnë kartonin e futbollistit nga Juventusi.

Javën e kaluar, Beppe Marota zhvilloi një takim me Branchinin që është në rolin e ndërmjetësit për llogari të Bayern-it për të diskutuar pikërisht për të ardhmen e Coman. Bavarezët në 2015 paguan 7 milionë euro për të marrë francezin në formë huazimi për 2 vjet dhe mund ta blejnë kartonin e tij për 21 milionë euro.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”, Rummenigge theksoi se klubi gjerman mund ta aplikojë opsionin për blerjen e Coman në muajin prill. Rummenigge deklaroi se stafi teknik ka mbetur i kënaqur me paraqitjet e futbollistit edhe pse francezi këtë sezon nuk po shfaqet në nivelin e atij të kaluar.

Bayern Munchen së fundmi rinovoi kontratat me Robben dhe Ribery duke e zgjatur bashkëpunimin me ta deri në vitin 2018. Prania e këtyre dy futbollistëve dhe ajo e Douglas Costës e Coman bën që skuadra bavareze të jetë e plotë për sa i përket lojës në krahë.

Top Channel