Futbollisti terrorist, Aboutrika në listën e zezë

18/01/2017 00:00

Në të kaluarën e afërt ka ndodhur shpesh që emra të njohur të cilët ishin bërë protagonist në sport, t’i bashkoheshin kauzave famëkeqe të ISIS dhe terroristëve islamikë. Por një rast i fundit që përfshin legjendën egjiptiane të futbollit, Mohamed Aboutrika, po bën vërtet bujë.

Ish-sulmuesi i Al Ahlit dhe i kombëtares së Afrikës Veriore, është futur nga Kajro zyrtare në një listë të zezë terrorizmi për lidhjet e tij me Vëllazërinë Myslimane. Në mënyrë të veçantë, ish-sulmuesi i njohur akuzohet nga autoritetet se ka mbështetur financiarisht organizatën islamike që Egjipti e konsideron terroriste.

Aboutrika, i cili u tërhoq nga arena e sportit në vitin 2013, i ka hedhur poshtë akuzat se e mbështet këtë parti, e cila në Egjipt konsiderohet organizatë terroriste. Ish-lojtari që ende është një idhull për tifozët, Mohamed Aboutrika, tashmë 37 vjeçar, i cili ka udhëhequr kombëtaren e futbollit të Egjiptit për një dekadë, aktualisht është në Gabon, në rolin e komentatorit në Kampionatin e shteteve afrikane.

Avokati i tij ka refuzuar të thotë kur Aboutrika mund të kthehet në Egjipt, por theksoi se vendimi i Gjykatës penale të Kajros mund të apelohet.

Ish-sulmuesi ka shënuar 30 gola në 100 ndeshje me Egjiptin, dhe madje pak ditë më parë ishte prezent në një miqësore luksi me Maradonën dhe presidentin e FIFA-s.

Top Channel