Vlorë, sherr mes tre personave, vritet 22-vjeçari

17/01/2017 00:00

Një konflikt me mjete të forta mes tre personave është verifikuar mesditën e kësaj të marte në Vlorë, ku një prej tyre ka gjetur vdekjen.

Ngjarja ka ndodhur në një rrugicë të lagjes “Partizani”, mes vëllezërve Klevis dhe Novruz Merkaj dhe shtetasit Armand Rrapaj.

Banorë të zonës kanë deklaruar se fillimisht kanë dëgjuar zërin e lartë të përdorur nga të rinjtë dhe më pas, kur kanë shkuar për të parë kanë gjetur 20-vjeçarin Rrapaj të shtrirë në tokë dhe të mbuluar me gjak.

Banorët kanë lajmëruar policinë, e cila kur ka mbërritur në vendngjarje ka bërë shoqërimin e Rrapaj në spital, ku ai ka ndërruar jetë pak momente më vonë.

Ndërkohë, blutë kanë vënë në pranga njërin nga vëllezërit, Klevis Merkaj, 27 vjeç, ndërsa kanë shpallur në kërkim Nevruz Merkajn.

Ndërkohë, në ambjentet e spitalit rajonal të Vlorës është vënë re një prani e theksuar e familjarëve nga të dyja palët e përfshira në konflikt, pasi sipas policisë së Vlorës mes familjeve Rrapaj dhe Merkaj ka lidhje krushqie.

Dy vëllezërit Merkaj janë martuar me dy kushërirat e viktimës dhe sipas policisë, kjo dyshohet të jetë edhe zanafilla e konfliktit.

Top Channel