Ngrohja, jo në gjithë shkollat. Problematika në periferi

17/01/2017 00:00

Ngrohja nuk funksion në të gjitha shkollat në Tiranë. Në shkollën nëntëvjeçare “Vasil Shanto” klasat janë pajisur me rezistenca me kontributin e vetë prindërve, por nxënësit nuk arrijnë të ngrohen.

“Është pak ftohtë, por ngrohemi sepse klasa është e vogël. Ngrohemi me frymën tonë”, thotë një nxënës.

“Është shumë ftohtë, rrimë me xhupa në klasë”, thotë një tjetër.

Në shkollën “Emin Duraku”, ku është instaluar kaldaja, sërish ka probleme dhe nxënësit thonë se kanë ftohtë. “Kemi shumë ftohtë. Bie automati”, shprehet një nxënës.

“Kaldaja nuk funksionon gjithmonë, dritat ikin dhe vijnë”, tregon një tjetër.

Por në Bashkinë e Tiranës thonë se deri më tani është siguruar ngrohja për të gjitha çerdhet, kopshtet dhe 70 shkolla.

“Defekti ka një emër, është kthimi i kaldajave nga naftë në paletë. Pajisja që bën kthimin në shumicën e rasteve ka qenë me defekt. Ajo që kemi bërë ka qenë ndërhyrja në mbi 70 shkolla, mbi 24 prej të cilave kanë pasur defekte të mëdha. Gjithashtu janë disa shkolla që nuk kanë sistem fare”, thotë Erind Bejko, drejtor i planifikimit të punëve publike.

Sipas bashkisë, administrata e mëparshme kishte ndërruar lëndën djegëse të kaldajave, nga nafta në paletë, çka ka dëmtuar pajisjet. Ndërkohë, më problematike është situata në shkollat në periferi të Tiranës.

Në buxhetin e vitit 2017 është planifikuar instalimi i kaldajave në shkollat që nuk e kanë dhe kjo pritet të jetë zgjidhja përfundimtare e ngrohjes në të 200 shkollat e Tiranës së madhe.

Top Channel