Pas trenit, sot muri në veri. Kuvendi i Mitrovicës mblidhet për ta legalizuar

16/01/2017 00:00

Kryebashkiaku i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç kujton se është e drejta e administratës lokale të ndërtojë ç’të dojë në territorin që ajo drejton, si dhe i dërgon një paralajmërim pushtetit qëndror në Prishtinë, duke i thënë se rrëzimi i murit të ndërtuar nga serbët në veri të Ibrit i kapërcen kompetencat e tij.

Me marrëveshjen e Brukselit, – shprehet Rakiç, – u arrit pajtimi për rivitalizimin e urës dhe rikonstruktimin e rrugës “Kralj Petar”, që do të thotë shndërrimin e saj në zonë këmbësorësh.

Një njërën nga pikat e këtij pakti thuhet qartë se punët do t’i kryejë Mitrovica veriore. “Kuvendi i Kosovës e ka miratuar marrëveshjen e Brukselit, ndaj rezoluta dhe deklarata për rrëzimin e murit nuk kanë bazë juridike”, deklaron Rakiç, duke shtuar se muri, kurrsesi nuk duhet hedhur në tokë me dhunë.

Në fund të dhjetorit, PDK-ja në pushtet dhe AAK-ja u pajtuan që muri ndarës të shembet janarin e 2017-s. Për arritjen e këtij kompromisi, partia opozitare hoqi dorë nga kërkesa për shkarkimin e ministres Edita Tahiri dhe nga ajo e ndërprerjes së dialogut në Bruksel.

Serbët në Mitrovicë kërkojnë legalizimin e murit, ndërsa shqiptarët e kundërshtojnë projektin e thonë se do të përpiqen ta ndalojnë miratimin e tij. Rakiç u shpreh më herët se, nëse ekzekutivi kosovar e shemb murin, atëherë Komuna e Mitrovicës së Veriut do ta rrëzojë rrethrrotullimin tek ura, që është pjesë e projektit të rihapjes së urës mbi lumin Ibër.

Top Channel