E kaluara është gjithmonë aty, por e rëndësishme është që të mos jemi peng i saj. Kjo është “E vërteta e Marias”, një dramë që fokusohet në problematika moderne të një shoqërie në tranzicion, e që vjen premierë në Teatrin Eksperimental Kujtim Spahivogli.

“Shfaqja flet për rishqyrtimin e të kaluarës, flet për atë se si ne dimë të mbetemi apo dimë të jemi peng të veprimeve tona nga e kaluara. Shpesh herë ato veprime janë të gabuara dhe na mbeten si një lloj barre që e mbajmë pas vetes dhe shpesh herë nuk mundemi të lirohemi”, shprehet Besfort Idrizi, regjisor.

Me tekst të Lisandri Kolës, pjesa na fton të rikonsiderojmë tema dhe fenomene sociale, që janë prezente pothuajse tash tri dekada në jetën shqiptare, e gjithë kjo vorbull sillet në skenë nga tre personazhe.

“Mendoj që kam gjetur formën e duhur, aktorët e duhur. Mendoj se dhe ata vetë kanë gjetur mënyrën e duhur të punës. Madje në skenë, përveç aktorëve, që janë Ermira Gjata, Florian Agalliu dhe Gjergj Mena është edhe një balerinë”, tregon Idrizi.

Besfort është një regjisor i ri që vjen nga Shkupi dhe ndjen nevojën e pasurimit me tekste dramaturgjike.

“Ne të botës teatrore kemi paksa mungesë të dramaturgëve të rinj, të autorëve të rinj që do të shkruajnë dramën”, thotë regjisori.

Top Channel