NBA, fiton Oklahoma, zhdukje “mister” e Rose

10/01/2017 00:00

Paraqitjet e shkëlqyera të Russell Westbrook në këtë sezon në NBA tashmë nuk përbëjnë më lajm.

Ky basketbollist u shndërrua sërish në liderin e Oklahoma City teksa e drejtoi këtë skuadër drejt fitores me Chicago Bulls me rezultatin 109-94. Westbrook bëri të heshtë të gjithë në United Center të Chicagos teksa e mbylli këtë sfidë me 21 pikë, 9 topa në tabelë e 14 asist. Megjithatë Westbrook nuk ishte i vetëm në këtë sukses të Thunder.

Spikatën gjithashtu edhe Steven Adams me 22 pikë dhe Enes Kanter me 20 pikë. Chicago nga ana e tij, vuajti mungesën e Jimmy Butler i cili ishte mbërthyer nga gripi dhe 22 pikët e Dwayne Wade nuk i mjaftuan për të evituar humbjen.

New York dorëzohet përballë New Orleans duke shënuar disfatën e 21 sezonale. Në Madison Square Garden skuadra e Knicks humbi me rezultatin 96-110 ku për Pelicans protagonisti absolut u bë Anthony Davis me 40 pikë e 18 pikë. Gjërat për New Yorkun u përkeqësuan me përjashtimet nga parketi në periodën e tretë te Carmelo Anthony dhe Kyle O’Quinn.

Por jo vetëm kaq, Knicks u rrethuan edhe nga misteri Derrick Rose i cili nuk u paraqit në fushën e lojës duke ngritur shumë pikëpyetje rreth tij. Sipas ESPN, basketbollisti e la skuadrën pa marre leje për të udhëtuar drejt vendlindjes së tij Chicago për një problem familjar. Mësohet se Rose duket se ka qenë në kontakte me drejtuesit e skuadrës së New york.

Ndërkaq, në ndeshjen tjetër të NBA, Dallas Mavericks humbi ndaj Minnesota-s 92-101 duke pësuar disfatën e tretë radhazi për të parë veten në vendin e fundit në konferencën e Perëndimit.

Top Channel