Bacca rikthehet te goli dhe i jep 3 pikët Milanit

08/01/2017 00:00

Carlos Bacca ka qenë heroi i Milanit në një ndeshje e cila në letër mendohej e lehtë për kuqezinjtë, të cilët kanë vuajtur jo pak përballë Cagliari-, duke fituar me rezultatin minimal 1-0.

Gjatë pjesës së parë kuqezinjtë shpërdoruan shumë, duke mos e vënë thuajse asnjëherë në rrezik portën e mbrojtur nga Rafael, ndërsa miqtë tentonin shpesh kundërsulmin. Në fillim të pjesës së dytë ishte Cagliari ai që shënoi, por fatmirësisht për kuqezinjtë anësori ngriti flamurin për pozicion jashtëloje.

Në të 88’, kur mendohej se kjo sfidë do të mbyllej në barazim, ka ardhur realizimi i kolumbianit Bacca, i cili nuk ka gabuar brenda zonës së rreptësisë. Kolumbiani ka qenë protagonist edhe në minutën e 94-t të ndeshjes kur ka shkaktuar nxjerrjen me karton të kuq të mbrojtësit të Cagliar-it Bruno Alves, i cili ka bërë një ndërhyrje të parregullt ndaj kolumbianit si lojtar i fundit.

Me këtë fitore kuqezinjtë ruajnë vendin e gjashtë, në kuotën e 36 pikëve, vetëm dy larg vendit të tretë, i fundit që garanton kualifikimin në Champions League, por milanezët kanë një ndeshje më pak.

Top Channel