
Autoritetet greke shkatërruan një organizatë që grabiste magazina dhe dyqane në kryeqytetin helen. Sipas tyre, 5 shtetas shqiptarë të moshave 20-33 vjeç u arrestuan nga policia në lagjen “Redi” të Athinës.
Policia thotë se të arrestuarit u ndaluan për shkak se pas hetimeve u vërtetua se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin grabitën një magazinë rrobash të një kompanie importi të veshjeve të markave të njohura. Në vazhdim, ngarkesa prej 6.000 veshjesh të ndryshme u ngarkua në një kamion që rezultoi i vjedhur, e më pas veshjet u magazinuan në një vendbanim ciganësh, ku dhe po negocionin shitjen e tyre.
Pasi u informua në rrugë operative, policia ndërhyri duke zbuluar ngarkesën, vlera e së cilës i kalon 125 mijë eurot. Në banesat e të arrestuarve u gjetën edhe 2.100 palë veshje, si dhe 36 celularë dhe 6 tabletë, të cilat rezultojnë të vjedhura në dyqanet e zonës së Pireut dhe Redit.
Një shtetas shqiptar është shpallur në kërkim, ndërkohë që hetimet për aktivitetin e organizatës vazhdojnë. Gjykata e Pireut vendosi t’i lërë në burg ata deri në përfundimin e hetimeve.
Top Channel