15 janari dhe ekspozita e artit italian të 1.900-s do të çelë kalendarin për këtë vit në GKA. Janë 102 vepra të artistëve italianë, të cilët vijnë për herë të parë në Shqipëri, një event i rëndësishëm për artin pamor shqiptar.

“Kjo është ekspozitë e rëndësishme, për faktin se në këtë dimension në Shqipëri vjen për herë të parë. Kemi artistë të njohur si Marino Marini, Carlo Levi, Felice Kasarato, De Pisis, që sjellin një panoramë të plotë të 1900-s italianë. Ka emra të njohur për publikun ndërkombëtar, por jo plotësisht të njohur për publikun shqiptar ndaj është një risi. Është një event që do të qëndrojë rreth 3 muaj në Shqipëri”, tha Artan Shabani, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Shabani thotë se ambiciet e GKA për 2017 do të jenë prurja e artistëve shqiptarë që i kanë munguar publikut, ndërsa do të vijnë për herë të parë edhe emra shumë të njohur ndërkombëtare.

“Më tej do të vijojmë me një ekspozitë vetjake të artistit shqiptar me banim në SHBA Zinni Veshi, artist i njohur, por i munguar në këto vite në territorin e artit shqiptar. Do kemi Gunther Uecker, që është njëri ndër 7-8 artistët më të njohur të Gjermanisë. Ai do të vijë personalisht në Shqipëri në këtë ekspozitë personale”, thotë Shabani.

Fokusi për këtë vit do të jetë gjithashtu edhe ekspozimi jashtë Shqipërisë i projekteve të ndryshme të artistëve shqiptarë.

Top Channel