Nata vjeneze në Tiranë, sot koncerti i Shkëlzen Dolit

02/01/2017 00:00

Shkëlzen Doli, violinisti shqiptar me famë botërore do të performojë sot në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve. Pjesë e kësaj performance do të jenë edhe 36 artistë të tjerë të Ansamblit Filarmonik të Vjenës, të cilët vijnë enkas për këtë koncert.

Është violinisti ai që në profilin e tij social ka ndare emocionet me ndjekësit e muzikës së tij, duke njoftuar edhe numrin e artistëve që do ta mbështesin në këtë koncert.

Skena në Pallatin e Kongreseve, ku edhe do të mbahet koncerti është në përfundim e sipër, për të pritur pas pak orësh interpetimin e Dolit. Atmosfera vjeneze ka zbritur në skenën shqiptare, ndërsa në radhët e publikut shqiptar Doli po pritet me interes, pasi biletat, të cilat ndonëse me çmime jo fort të lira duke variuar nga 3-10 mijë lekë të reja, janë blerë që në orët e para të 17 Dhjetorit, kur edhe nisi shitja e tyre.

Shkelzen Doli viziton herë pas here Tiranën dhe Prishtinën. Një vit më parë në datën 2 janar, ai performoi në sheshin e kryeqytetit të Kosovës, ndërsa këtë vit për të vijuar traditën ka zgjedhur Tiranën, të cilën e vizitoi edhe më herët më 4 qershor të vitit që lamë pas, kur interpretoi muzikë popullore me violinën e tij dhe tashmë të njohuren “Albanian Soul”.

Koncerti i Dolit vjen në kryeqytetin shqiptar, si një kartolinë urimi për festa.

Top Channel