Illir Lluka është fituesi i edicionit të 22-të të Konkursit Ndërkombëtar “Onufri”. Juria e përbërë nga Arben Bajo, Ermir Hoxha dhe Zeni Ballazhi vlerësuan Llukën ndër 41 artistët pjesëmarrës, për vlerat estetike dhe artistike të prezantuara në veprën “Further Inside”.

Puna fituese e artistit Ilir Lluka vjen në mediumin e videos, e instaluar në 3 ekrane, si një poezi me 3 elemente: vizuale, muzikore dhe verbale.

Bazuar mbi motivet e shkrimtarit Mitrush Kuteli, i cili ishte zgjedhur nga kuratorët si pikë referimi për këtë edicion, fituesi i “Onufrit” pohon se, paçka se nuk e ka lexuar shumë Kutelin, kjo nuk e ka penguar të gjejë qasje mes shkrimtarit dhe veprës së tij.

“Përshtatja ka të bëjë me kontekstin dhe jo me veprat e shkrimtarit. Në këtë lloj punimi nuk kërkova të sillja diçka simbolike, por është ndërtuar në mënyrë abstrakte, në mënyrë të tillë që puna të ndihej më tepër sesa të logjikohej. Në thelb, në fund kjo punë është poezi”, tha Ilir Lluka, fitues i edicionit të XXII-të të konkursit “Onufri”.

Edicioni i XXII-të i çmimit “Onufri” mbyll kësisoj aktivitetet e arteve pamore edhe për këtë vit në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Top Channel