“Albpetrol”, shitje rekord nafte. Plot 167 mijë tonë karburant

29/12/2016 00:00

“Albpetrol” shiti 167 mijë tonë naftë bruto në tregun e brendshëm, për një vlerë prej mbi 45 milionë eurosh, në atë që mund të quhet si një nga ankandet publike më të mëdha të zhvilluara vitet e fundit.

Përmes një njoftimi zyrtar, kompania raportoi se nafta u shit me një çmim prej 70.48 për qind e çmimit “Brent” në bursat ndërkombëtare, që ishte edhe niveli minimal i paracaktuar në kushtet e ankandit.

“Albpetrol” e nxjerr në shitje naftën e Patos-Marinzës, me një çmim që është nga 25 deri në 30 për qind më i ulët sesa ai në bursat ndërkombëtare, pasi nafta shqiptare konsiderohet se ka një cilësi më të dobët.

Sipas njoftimit, në ankandin që u zhvillua pak ditë më parë mori pjesë vetëm një kompani, “Porto Romano Oil”, e cila u shpall edhe fituese.

Kjo ishte tentativa e “Albpetrol” për shitjen e kësaj sasie nafte. Ankandi i parë u zhvillua në tetor, por dështoi për shkak se nuk pati oferta. Këtë herë, komisioni i ankandit uli çmimin minimal të shitjes nga 72 për qind e çmimit në bursat ndërkombëtare, në 70.4 për qind.

Kompania e vetme shtetërore e naftës është përballur me një situatë jo të mirë financiare këtë vit, për shkak të rënies së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Ky ankand pritet të përmirësojë bilancin e kompanisë, duke i mundësuar asaj të transferojë fitim për buxhetin e shtetit.

Top Channel