Të humbasësh nëpër valët e ngjyrave, në sfumaturat e të cilave mund të dallosh shëmbëlltyrën e Zotit.

“Shtegu i vërtitjes” e ka titulluar ciklin e saj të punëve artistja turke, Betyl Burnaz, të cilin e koncepton si një udhëtim kozmik, ku në çdo formë gjeometrike, rreth e vije të hedhur në telajo në mënyrë mistike, shfaqet figura e krijuesit.

“Në kuadrot e saj dallohet qartë pjesa e shpirtërores  në art, që është një gjë e vështirë për t’u gjendur në artin bashkëkohor. Dëshifrohet si një imazh abstrakt, i cili mbivendoset në një imazh pothuajse qiellor. Në ditët që jetojmë sot, në artin konceptual, një krijim që vjen nga shpirtërorja për t’u materializuar është diçka e veçantë”, tha Ermir Hoxha, kurator.

E lindur në Stamboll dhe e shkolluar në Vjenë, Betyl Burnaz sjell qartazi ndërthurjen e dy kulturave në kuadrot e saj.

“Është ky ndërtimi akademik i saj. Është një artiste që personifikon dyzimin mes kulturës turke. Aty bashkohet pjesa e artit modern me artin tradicional të origjinës së saj kulturore dhe besimtare”, tha kuratori Hoxha.

Ekspozita e organizuar nga instituti turk “Ynus Emre” vjen për publikun shqiptar për të përcjellë një sërë mesazhesh në atmosferën e festave të fundvitit.

Top Channel