Kosovë, përurohet objekti i Qeverisë në Mitrovicën e Veriut

28/12/2016 00:00

Ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri ka përuruar këtë të mërkurë objektin e Qeverisë së Kosovës në komunën e Mitrovicës së Veriut. Ky proces shënon shtrirjen dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në atë pjesë të vendit, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit.

Me këtë rast, ministrja Tahiri ka deklaruar se, pas një periudhe disamujorshe të përgatitjeve intensive të bëra nga Ministria për Dialogun dhe Ministria e Administratës Publike, si dhe me angazhimin e të gjitha institucioneve dhe në veçanti të mbështetjes së Kryeministrisë, sot ka filluar puna e institucioneve qendrore në pjesën veriore të vendit.

“Objekti i Qeverisë së Kosovës, të cilin e përuruam sot, gjendet në komunën e Mitrovicës së Veriut. Unë bëra një vizitë dhe vlerësoj se kushtet e punës janë përgatitur mjaft mirë nga ana e Ministrisë së Administratës Publike. Në këtë objekt do të kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore, që kanë fushë veprimtarie lokale, si Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve, Agjencia Kadastrave, Agjencia e Arkivave, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Gjithsej do të punojnë 105 zyrtarë të punësuar në këto institucione”, theksoi ministrja Tahiri.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në Mitrovicë, ministrja Edita Tahiri ka mbajtur edhe një takim me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që kanë filluar sot punën në komunën e Mitrovicës veriore. Në këtë takim, ministrja Tahiri ka vlerësuar lart angazhimin e institucioneve të Kosovës për fillimin e mbarë të punës së zyrave, si dhe është diskutuar për koordinime sa më të mira për mbarëvajtjen e punës dhe vijimësinë e rregullt të të punësuarve. Janë diskutuar gjithashtu edhe hapat vijues.

Top Channel