Shuhet në moshën 68-vjeçare aktori Bujar Lako

26/12/2016 00:00

Bujar Lako, aktori me talentin dhe zërin e rrallë mbylli sytë në moshën 68-vjeçare. Një atak në zemër, mëngjesin e së hënës, ishte shkaku i vdekjes së parakohshme.

Bujar Lako, me 44 vitet e karrierës së tij mbi supe, është njohur me shumë emra të lidhura me rolet më të spikatura në kinematografinë shqiptare.

Karrierën e nisi sapo përfundoi studimet në vitin 1973, si aktor në Teatrin Kombëtar dhe shpejt kaloi në kinematografi. Nga filmat “Përballimi” dhe “Në fillim të verës” do të kalonte në produksionin mbase më të spikatur, për të cilin ai do të kujtohet gjatë me rolin e Halit Beratit, në filmin “Gjeneral Gramafoni”, por edhe me rolin Mujo Bermemes, komandatit shqiptar të bazës ushtarake të Pashalimanit në filmin “Ballë për ballë”.

Filmat, të cilët mbajnë të spikatur rolin e tij, janë të shumte dhe në kinematografine e para viteve ’90, prania e Bujar Lakos i jepte sukses të garantuar filmit. Edhe më pas, aktori pati një jetë të ngjeshur artistike me role të ndryshme.

Te “Lule të kuqe, lule të zeza” luajti përkrah të tjerë emrave, si Kastriot Çaushi, Vasjan Lami, Petrit Malaj, Mevlan Shanaj, etj. Dhe “Magic Eye”, ku shfaqet përkrah Timo Fllokos, Alban Ukajt dhe Arta Dobroshit.

Në teatër ka interpretuar gjithashtu një sërë rolesh, ndërsa është fitues i shumë çmimeve. I pari ishte në vitin 1979, ku ngriti kupën e aktorit më të mirë të Festivalit të Filmit për rolin e tij të gjeneral Gramafonit dhe në vitin 2005 do të fitonte titullin “Palma e artë” me filmin “Magic Eye”.

Titujt që mban mbi vete janë “Urdhri Naim Frashëri”, klasi i parë në vitin 1982, “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës në vitin 2013. Për ne në Top Channel, Bujar Lako ka lënë një gjurmë të pashlyeshme. Zëri i tij identifikon edhe nisjen e rrugëtimit të Top Channel 15 vite më parë.

Top Channel