Muri i Mitrovicës vë në udhëkryq dialogun Kosovë-Serbi

23/12/2016 00:00

Mungesa e transparencës ka krijuar një paqartësi te qytetarët, si ata shqiptarë ashtu dhe ata serbë, në procesin e dialogut rreth marrëveshjeve të arritura dhe përmbajtjes së tyre, si dhe rreth efekteve që do të sjellin në jetën e tyre.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur këtë të premte një tryezë diskutimi me temë “Dialogu në udhëkryq: Çfarë ka pas murit?”, që kishte për qëllim të adresonte të vërtetat mbi murin në veri të vendit, pasojat që sjell në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, dhe format sesi mund të zgjidhet kjo situatë.

Pjesë e këtij debati ishte ministrja për Dialogun, Edita Tahiri; deputetët e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe Sadri Ferati; si dhe diplomatë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Në hapjen e tryezës, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu theksoi faktin se mungesa e transparencës ka krijuar një paqartësi te qytetarët në procesin e  dialogut. Kryeziu shtoi ndër të tjera se, KDI-ja ka marrë nismën për të fuqizuar rolin e Kuvendit në mbikëqyrjen e Qeverisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërsa ministrja e Dialogut, Edita Tahiri ndau me të pranishmit impaktin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në shpërbërjen e strukturave paralele ilegale serbe, në shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin e vendit, si dhe në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ajo theksoi se muri do të hiqet dhe se nuk ka qenë pjesë e marrëveshjeve dhe as e bisedimeve në Bruksel, duke e cilësuar atë si provokim të radhës nga ana e Serbisë.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra theksoi se ndërtimi i murit ka qenë shqetësim i të gjithë spektrit politik në Kosovë, si dhe ka rënduar klimën politike në vend. Ajo shtoi se dialogu ka prodhuar edhe efekte pozitive dhe se rruga e vetme si shtet është dialogu.

Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati ka thënë se nuk e di, nëse muri ka qenë pjesë e diskutimeve në Bruksel, por ka thënë se çështjes së ndërtimit të murit në veri të Mitrovicës duhet t’i qasen si institucione. Ai theksoi se nuk duhet të lejojnë që një mur t’i zhvendosë nga axhendat e rregullta.

Ferati shprehu shqetësimin e tij për mënyrën sesi qytetarët shqiptarë jetojnë në veri dhe ka theksuar nevojën për mbështetjen institucionale për përmirësimin e jetës së tyre, duke lënë mënjanë retorikën politike. Gjithashtu, Ferati u bëri thirrje përfaqësuesve serbë, që të jenë më aktivë dhe të dëshmojnë se e dëshirojnë paqen dhe bashkëjetesën.

Top Channel