Rumania nuk do të ketë më Steaua të Bukureshtit

22/12/2016 00:00

“Steaua pa emër” ishte titulli i një programi muzikor rumun në periudhën e diktaturës së Causheskut, por që duket se po gjen vend edhe në ditët e sotme. Është një histori që ka të bëjë pikërisht me Steauan e Bukureshtit, që tashmë nuk do të ekzistojë më, të paktën jo me këtë emër.

Presidenti i skuadrës më të rëndësishme rumune, Gigi Becali ishte përfshirë në një proces gjyqësor me Ministrinë e Mbrojtjes së vendit ballkanik, me këtë të të fundit që rezultoi e fituar në këtë betejë ligjore. Gjykata vendosi që të mos e lejojë më Becalin, që kjo skuadër të vazhdojë të mbajë emrin e Steauas, një vendim që gjithsesi ai ka të drejtë ta apelojë.

Skenaret e mundshme të bëjnë të mendohet se klubi do të kthehet tek emri “FCSB” dhe se rilindja e këtij klubi do të nisë nga divizioni i katërt i kampionatit rumun. Është pikërisht Ministria e Mbrojtjes, ajo që ka bërë të diturt zyrtarisht se Steaua do t’i nënshtrohet ndryshimeve të mëdha, duke nisur që nga sezoni i ardhshëm.

Por jo vetm kaq, Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar Becalit edhe një dëmshpërblim prej 37 milionë eurosh, për shkak se përdori emrin e Steauas në 13 vitet e fundit, pa e pasur të drejtën për një gjë të tillë.

Pavarësisht gjithçkaje, tifozët e Steauas duket se nuk kanë ndërmend ta lënë skuadrën e tyre. 45% e tyre kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë ta ndjekin Steauan, që do të drejtohet nga Marius Lacatus, ish-sulmuesi i Fiorentinës.

Steaua është skuadra me më shumë trofe në Rumani, me 26 tituj kampionë, 22 Kupa të Rumanisë dhe 6 Superkupa. Ky klub ka në palmaresin e tij edhe 1 Kupë Kampionesh, atë të fituar në 1986-n me penallti në finalen kundër Barcelonës.

Top Channel