Bayern Munchen shkatërron Leipzig, shpallet kampion dimri

21/12/2016 00:00

Skuadra surprizë e këtij sezoni në Bundesligë, nuk i ka bërë dot ballë kampionëve të Bayern Munchen që shpallen kampionë dimri pasi shkatërruan 3-0 rivalët e Leipzig.

Të parët që rrezikojnë portën kanë qenë lojtarët e Leipzig, por nëse nuk shënon do të pësosh dhe skuadra e drejtuar nga Ralph Hasenhuettl ka pësuar tre gola në 45 minutat e para.

I pari që hap siparin e golave ka qenë Thiago Alcantara në të 17’ dhe 8 minuta më pas Xabi Alonso do të dyfishonte rezultatin. Në përfundim të pjesës së parë ka ardhur edhe goli i tretë për bavarezët, i cili u realizua nga pika e bardhë e penalltisë, nga ku Lewandowski nuk ka gabuar.

Prej minutës së 30’, debutuesit e Leipzig kanë mbetur me 10 lojtarë në fushë, pasi numri 10 i tyre, Emil Forsberg u largua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj mbrojtësit bavareaz, Philipp Lahm.

Pjesa e dytë u mbyll me rrjeta të paprekura pavarësisht disa rasteve të pastra për shënim nga ekipi i Bayern Munchen.

Me këtë fitore skuadra e Ançelotit shkon në 39 pikë pas 16 javësh kampionat, e ndjekur nga Leipzig e vendit të dytë me 36 pikë.

Top Channel