17 mld dollarë për Lojërat e Tokios

21/12/2016 00:00

Buxheti i Lojërave Olimpike 2020 në Tokio parashikohet të jetë 17 miliardë dollarë.

Një muaj pas refuzimit te Komitetit Olimpik Ndërkombëtar i një buxheti të ngjashëm, drejtuesi i komitetit organizator të Lojërave Olimpike 2020, Toshiro Muto, theksoi se buxheti do të jetë i njëjti për evenimentin që do të mbledhë sportistët më të mirë të globit pas gati 3 vjetësh.

Në nëntor, zv/presidenti i CIO, John Coates, kishte refuzuar buxhetin e parashikuar prej 17,78 miliardë dollarë prezantuar nga guvernatori i Tokios. Kjo shifër është larg Lojërave të Pekinit në 2008  që ishin në një limit prej 40 miliardë euro. Ndërkohë, Lojërat Olimpike të Londrës në 2012 e kishin buxhetin 11 miliardë euro dhe ato në Brazil këtë verë ishin 12,5 miliardë euro.

Në një xhiro të madhe financiare ku pjesa më e madhe do të mbulojë ndërtimin dhe sigurinë, autoritetet organizative japoneze shprehën besimin se Olimpiada e 2020, do të kalojë magjinë e Rio de Zhaneiros të kësaj vere. Në takimin e fundit u vendos gjithashtu për ndërtimin e një impianti volejbolli në distriktin Ariake të Tokios, që do të jetë dhe arenë për shumë sporte me dorë.

Top Channel