“Traviata”, sukses shqiptar

20/12/2016 00:00

Për të tretën mbrëmje radhazi historia e famshme verdiane e dashurisë së Violetes dhe Alfredos në operën “Traviata”, ka emocionuar publikun ne TKOB.

Në sallën e mbushur plot, interpretët e “Traviata”-s shpërndanë përmes zërave vibrues emocione tek publikun, i cili duket se prej kohësh e ka pritur një shfaqje të tillë.

Biletat e shfaqjes janë shitur që në orët e para të njoftimit të premierës së re, duke rritur më tej edhe kërshërinë e publikut shqiptar, për të parë një opera të ngjashme në realizim me ato vjeneze.

Në skenën e mbushur me lule, Violeta vajton dashurinë e saj të pafat, duke gjetur ngushëllimin e vetëm tek gota, një skenë e cila emocionoi jo pak publikun që nuk i kurseu duartrokitjet gjatë gjithë operës që zgjat 2 orë e 30 minuta. 

Të enjten në mbrëmje, ata që kanë rezervuar biletën, do të kenë mundësi të shohin shfaqjen e katërt dhe të fundit të “Traviata”-s, e cila do të mbyllë edhe sezonin operistik për këtë vit në TKOB.

Top Channel