Ansi Agolli, lojtari i huaj më i mirë i vitit në Azerbajxhan

20/12/2016 00:00

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli është nderuar me çmimin “Lojtari i Huaj Më i Mirë i Vitit” në Azerbajxhan, ku prej disa vitesh ka arritur të tregojë vlerat e tij me skuadrën e Qarabag.

Agolli është vlerësuar nga Federata e Futbollit të Azerbajxhanit për paraqitjet e tij gjatë këtij viti që po lëmë pas. Skuadra e Agollit aktualisht renditet në vendin e parë në kampionat, ndërsa pati një ecuri pozitive në Europa League, kur edhe pse u eliminua në ndeshjen e fundit në grupe duke u mposhtur nga Fiorentina, arritën të grumbullonin 7 pikë, duke u renditur në vendin e tretë.

Një meritë të padiskutueshme për këtë ecuri të Qarabag ka pasur edhe mbrojtësi shqiptar, për të cilën tashmë ka ardhur edhe vlerësimi.

“Jam i nderuar që sot mora çmimin Lojtari i Huaj Më i Mirë i Vitit. E vërteta është që, që nga dita e parë tek Qarabag-u, asnjëherë nuk e kam ndier veten të huaj, kjo falë trajnerit Gurban, pjesëtarëve të klubit, shokëve të skuadrës dhe sigurisht tifozëve! Ata më bëjnë të ndihem sikur luaj çdo ndeshje në shtëpi, edhe pse jam larg saj. Dua ta ndaj këtë çmim me gjithë këta njerëz. Falenderoj gjithashtu të gjithë gazetarët që janë këtu sot, dhe ata që votuan për mua”, shkroi Agolli në profilin e tij në “Facebook”.

Top Channel