Nis rindërimi i “Shtëpisë së Flamurit”; Muzeu u shkatërrua në 2012-ën

18/12/2016 00:00

Shtëpia e Flamurit në Korçë, objekti monument kulture i cili u shkatërrua në mënyrë barbare në vitin 2012 po rikthehet më qytetin e Korçës.

Ndërtesa ku patrioti Themistokli Gërmenji 100 vite më parë ngriti Flamurin Shqiptar brenda pak muajsh do të jetë me të njëjtat  elemente identifikuese ashtu siç ka qenë më parë. Një investim i qeverisë do të bëjë të mundur që kjo ndërtesë të hapet për vizitorët vendas apo të huaj.

“Me një vlerë prej 24.2 milionë lekësh, ka filluar edhe rindërtimi i kësaj banese. Por besoj se në verën e ardhshme “Shtëpia e Flamurit” do të jetë gati”,  shprehet Gjergji Koki, drejtor i Monumenteve të Kulturës në Korçë.

““Shtëpia e Flamurit” ka një rëndësi shumë të veçantë, pasi është një simbolikë ku janë mbledhur të gjitha elementet e lëvizjes patriotike për të mundur dhe qeverisur gjithë zonën e Korçës. Por edhe për treguar se shqiptarët ishin të aftë për të krijuar një shtet edhe nën zjarrin e Luftës së Parë Botërore”, tha Niko Kotherja, studiues historie.

Shtëpia e Flamurit u shemb disa vite më parë gjatë natës, pasi ishte privatizuar nga një grup biznesmenësh të cilët tentuan të ndërtonin një qendër biznesi.

Pas reagimit nga ana e qytetarëve ndërtimi u bllokua dhe më pas me një vendim qeverie pronarët u shpronësuan për ta rindërtuar godinën dhe për ta kthyer në një muze.

Top Channel