Juve-Roma, sfida e madhe e javës së 17 në Serie A

17/12/2016 00:00

Luhet sot në mbrëmje sfida mes Juventusit dhe Romës, përballja më e rëndësishme e javës së 17 të Serisë A.

Bardhezinjtë për momentin janë në krye të renditjes me 4 pikë diferencë ndaj rivalëve të tyre dhe ajo që triumfon në këtë përballje do të japë një sinjal të fortë për vazhdimësinë e kampionatit.

Trajnerët e të dy skuadrave kanë dilemat e tyre në prag të kësaj sfide. Allegri është i dyzuar me skemës 4-3-1-2 dhe 3-5-2, por livornezi duket se në fund mund të zgjedhë një mbrojtje me 4 futbollistë.

Barzagli është grumbulluar në skuadër, por ka të ngjarë të nisë sfidën nga pankina. Në qendër do të jetë Benatia, një njohje e vjetër e Romës dhe Chiellini, ndërsa në krahë pritet të jenë Sandro dhe Lichtsteiner. Në mesfushë, Sturaro mund të veshë fanelën e titullarit për të qenë krah Khedira-s dhe Marchisios.

Në fushë do të jetë edhe Miralem Pjanic një tjetër emër të cilin verdhekuqtë e njohin shumë mirë me boshnjakun që pritet të  mbështesë sulmuesit që pritet të jenë Higuain dhe një mes Mandzukic e Dybala, me kroatin që duket më i favorizuar. Do të mungojnë për këtë sfidë vetëm Bonucci, Dani Alves e Mandragora, të tre për arsye dëmtimi.

Në kampin e Romës, përveë Florenzit, nuk do të jenë në dispozicion të Spalettit edhe Totti e Paredes, ndërkohë që janë riaftësuar Bruno Peres e Salah. këtë të fundit, trajneri i Romës po mendon ta aktivizojë që nga minuta e parë duke e preferuar kundrejt El Sharaawy në mesfushë që do të kompletohet nga Perotti e Nainngolan, ndërkohë që hapësira do të kenë edhe De Rossi e Strootman. Në repartin e avancuar, do të jetë i vetëm Edin Dzeko që sigurisht do të ketë mbështetjen e futbollistëve të tjerë.

Në prapavijë, Szczesny do të jetë në portë dhe përpara tij do të vendosen Rudiger, Emerson Manolas e Fazio.

Top Channel