Një rikthim i madh për Napolin ndaj Realit

16/12/2016 00:00

Pas shitjes së Higuain te Juventusi në merkaton e verës u mendua se Napoli do ta kishte shumë të vështirë për të zëvendësuar argjentinasit, por prezantimi i Arkadiusz Milik bëri që argjentinasi të harrohet të paktën në 7 javë kampionat, ku polaku shënoi 4 gola, ndërsa 3 të tjerë i shënoi në 2 ndeshje në Champions League.

Nisja ishte e shkëlqyer dhe të gjithë po bindeshin se shitja e Higuain ishte vendimi i drejtë dhe tashmë ai ishte zëvendësuar. Por në momentin më të mirë të sulmuesit 22 vjeçar, ai u dëmtua në ndeshjet eliminatore me Poloninë.

Deri në këtë fazë të kampionatit Napoli e ka vuajtur shumë mungesën e tij, ku Gabiandini nuk ka arritur të bëjë më të mirë, duke detyruar trajnerin Sarri që në ndeshjet e fundit të aktivizojë si sulmues të parë belgun Mertens.

Napoli aktualisht ndodhet në vendin e katërt në kampionat, 8 pikë larg Juventusit, por Champions duket mëse i arritshëm për ta, ku Milani është vetëm 1 pikë larg tashmë. Gjithashtu napolitanët siguruan kualifikimin për në fazëne ardhshme të Champions-it dhe përballë do të kenë kampionët në fuqi të këtij kompeticioni, Realin e Madridit, ku ndeshja e parë ndaj të cilit do të jetë më 14 shkurt në “Bernabeu”.

Në një ndeshje kaq të rëndësishme për Napoli, ku mund të vendosen edhe fatet e sezonit, duket se ekipi do të ketë edhe një rikthim të madh, atë të Milik, sulmuesit të munguar deri në këtë fazë.

Ditën e premte, polaku zhvilloi vizitën e parafundit nga Profesor Mariani dhe duket se, sipas tij, gjithça po shkon si duhet dhe Milik do të bashkohet me grupin më 15 janar.

Një lajm i shkëlqyer për trajnerin Sarri, i cili do të ketë një armë më shumë në ndeshjen e rëndësishme ndaj Realit.

Top Channel