Allegri: Higuain nga minuta e parë ndaj Romës, dua vetëm fitore

16/12/2016 00:00

Juventus-Roma është kryesfida e javës së 17 në Serie A, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës. Trajneri i bardhezinjëve foli për mediat në prag të kësaj sfide, duke u shprehur se futbollistët që ai drejton duhet të japin maksimumin për të arritur të fitorja nga kjo përballje.

“Na pret një ndeshje e vështirë, ku sigurisht nevojitet një punë e madhe nga të gjithë nëse duam të fitojmë. Në sulm do te jetë Higuain, por ende nuk e kam vendosur për shokun e tij të repartit. Mund të luajë Mandzukic ose Dybala, por të tre bashkë është e pamundur. Do të shikoj se si do të ecë seanca e fundit stërvitore dhe më pas do të vendos.”, tha Allegri.

Allegri u shpreh më tej se Roma ka qenë rivali kryesor i Juventusit gjatë viteve të fundit, por sipas tij këtë sezon ata janë bërë më të kujdesshëm në fazën mbrojtëse dhe ky fakt i bën më të rrezikshëm.

“Vitet e fundit Roma ka qenë rivali ynë për titullin kampion. Është një skuadër e fortë, e organizuar mirë dhe lojtarë shumë cilësorë. Ndryshe nga fillimi i kampionatit ata po tregohen më të kujdesshëm në mbrojtje. Është një sfidë që nuk vendos kampionatin. Personalisht nuk dua barazimin. Pjanic do të luajë. Pavarësisht se ai ka qenë një ish-lojtar i Romës, ky fakt nuk e shqetëson atë”, u shpreh trajneri i Juventusit.

Top Channel