Botërori, FIFA mendon “zhdukjen” e barazimit

15/12/2016 00:00

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) po mendon për një projekt revolucionar për kampionatët e ardhshëm botërorë.

Qeveria e futbollit ka hedhur idenë e heqjeve të barazimeve në ndeshjet në grupe, me synimin që të evitojë kombinacionet e rezultateve të disa skuadrave në dëm të kundërshtarëve. Ideja është që nëse sfidat e grupeve në fazën finale të një Botërori përfundojnë në barazim, atëherë skuadrat t’i drejtohen gjuajtjeve të 11-metërshave.

Një ide kjo që ka shumë të ngjarë që të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s që do të mbahet në 9 dhe 10 janar dhe ku do të flitet edhe për rritjen e numrit të pjesëmarrësve në Botëror në 40 apo 48 skuadra. Ato që bëhen pengesë në këtë pikë janë pikërisht klubet më të rëndësishme evropiane, të cilat e kundërshtojnë me forcë këtë plan.

“Numri i ndeshjeve që luhen brenda një sezoni ka arritur në një nivel të papranueshëm”, deklaroi presidenti i Shoqatës së Klubeve Evropiane, Karl-Heinz Rummenige.

Ishte Infantino ai që bëri propozimin për një Botëror me 48 skuadra, duke nisur nga edicioni 2026, gjë që do ta çonte në 368 numrin e futbollistëve që do të lënë klubet e tyre për të paktën 1 muaj. Sipas Rummeniges, një turne me më shumë ndeshje do të rrisë të ardhurat nga shitja e të drejtave televizive dhe do të kënaqë më shumë Federata, por politika dhe marketingu nuk duhet të jenë prioritet i futbollit.

Sipas një studimi të kryer nga 220 anëtarë të Shoqatës së Klubeve Evropiane, 76% e futbollistëve të pranishëm në Botërorin 2014 ishin pjesë e skuadrave të Kontinentit të Vjetër.

Top Channel